Kryeministrat Albin Kurti dhe Dimitar Kovaçevski e injoruan njëri-tjetrin në dy ngjarje rajonale në gusht dhe u duk që marrëdhëniet jo vetëm midis tyre, por edhe midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ishin luhatur pak. Por presidentja Vjosa Osmani u ptit dje nga presidenti Stevo Pendarovski, me të cilin ajo tha se ka “raport të shkëlqyeshëm”.
Vizita e fundit e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut u duk se i ftohu pak marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Shefi i Qeverisë kosovare dhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski e shmangën njëri-tjetrin në dy raste në gusht, fillimisht në Greqi dhe më pas në Slloveni.
Por presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Stevo Pendarovski dje dhe sot dolën si përbri kryeministrave të tyre, duke konfirmuar se raportet ndërshtetërore janë të mira.
Osmani, e cila të hënën shkoi në Shkup për procesin e Bërdo-Brionit, u prit nga Pendarovski, me të cilin ajo tha se kanë “raport të shkëlqyeshëm”.
“Me presidentin Pendarovski kemi një raport të shkëlqyeshëm. Bisedojmë për sfidat, e kemi pasur përkrahjen e tij vazhdimisht në përballje me këto kriza. Unë e falënderoj Maqedoninë e Veriut për përkrahjen që na ka dhënë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë votën e fundit për Këshillin e Europës dhe shpresoj dhe besoj që do të vazhdojë me një konstruktivitet dhe përkrahje të tillë”, tha Osmani para gazetarëve.
Fotografitë e takimit i publikoi në Facebook, duke shkruar kështu mbi to: “Afërsia jonë gjeografike, marrëdhëniet miqësore mes popujve tanë dhe vizioni euroatlantik, janë e përbashkëta e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”. Me Pendarovskiin, Osmani tha se diskutuan për “nxitjen e bashkëpunimit më të theksuar ndërmjet dy shteteve, stabilitetin rajonal, si dhe forcimin e partneritetit ekonomik”.
Edhe Pendarovski u shpreh i kënaqur nga takimi me Osmanin.
“Shprehëm kënaqësinë nga niveli i marrëdhënive bilaterale në mes dy shteteve, të cilat janë miqësore, dinamike dhe të bazuara në respektin e ndërsjelltë”, shkroi ai në Facebook.
Por Pendarovski, pas pjesëmarrsjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në disa ngjarje në Maqedoninë e Veriut, pati thënë se “organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen për shkak të injorimit të simboleve shtetërore, por edhe për shkak të vendosjes së ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste të shteteve të mëdha”. Ai kishte ngritur dyshime edhe për shkeljen e procedurave për emërtimin e rrugës në Çair me emrin e Adem Demaçit, ngjarje në të cilën Kurti mori pjesë gjithashtu.
Kryeministrat e dy vendeve, Albin Kurti dhe Dimitar Kovaçevski e injoruan njëri-tjetrin gjatë një vizite në Athinë, ku kishin shkuar pë një darkë joformale, dhe në Bled një javë më pas. Ata s’u panë duke i shtrënguar duart, as duke komunikuar dhe as qoftë thjesht duke qëndruar përballë njëri-tjetrit nën shoqërinë e të pranishmëve tjerë.
Vizita e fundit e Kurtit në Maqedoninë e Veriut më 11 gusht kishte shkaktuar reagimin e Presidentit dhe Qeverisë në Shkup. Organizimi i ngjarjeve në Çair dhe Tetovë, dy komunat e banuara me shumicë shqiptare, u bë problem jo i vogël, pasi aty u nuk u këndua himni maqedonas dhe nuk u vendos flamuri shtetëror, por diku në turmë u valvit një flamur “Authoctonous”. Kurti qëndroi në Çair me ftesë të kryetarit Visar Ganiu, dhe në Tetovë me ftesë të dreut të kësaj komune, Bilall Kasami. Mori pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë mori pjesë në lëshimin në përdorim të një rruge në Malësinë e Tetovës.
Vizita e Kurtit në shtetin fqinj u konsiderua private dhe u pa në kuadër të bashkëpunimit të Lëvizjes Vetëvendosje me opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski kërkoi sqarime nga Ambasada e Kosovës në Shkup.
“Vendosja e flamujve që nuk janë shtetërorë është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të zyrtarëve të vendeve të huaja. Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë po merr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit”, u tha në reagimin e kabinetit të Kovaçevskit.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut e konsideroi private vizitën e Kurtit, ashtu si edhe eksponentët e rëndësishëm të BDI-së së Ali Ahmetit në pushtet, të cilët Kurti nuk i takoi./GazetaExpress/