Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për zgjedhjet që u mbajtën dje në katër komunat në Veri. Ai në një postim në Facebook ka falënderuar KQZ-në për organizimin e zgjedhjeve, Policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen.
Kurti ka shkruar se bojkoti i zgjedhjeve në Veri ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe veglave të tij kriminale në Veri.
“Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë”, ka shkruar ai.
Kurti ka uruar kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur, të cilët i siguroi që Qeveria do t’i përkrahë dhe t’i ndihmojë.
“Uroj kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dje. Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti.