Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar bombardimet ruse në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, të ndodhura të hënën.
Kurti, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’, ka thënë se i bashkohet SHBA-së, BE-së dhe aleatëve të tjerë në dënimin e sulmit të Rusisë ndaj civilëve në Ukrainë.
“I bashkohem SHBA-së, BE-së dhe aleatëve tanë të tjerë në dënimin e sulmeve brutale të Rusisë në zonat civile në mbarë Ukrainën. Sot, bota demokratike duhet ta thotë njëzëri: Çdo shtet që kërkon bashkëpunim me Rusinë në mes të kësaj lufte të tmerrshme është bashkëpunëtor në pasojat e saj”, ka shkruar Kurti.
Një ndër shtetet e vetme evropiane që po vazhdon bashkëpunimin me Rusinë është Serbia, të cilës aleatët ndërkombëtarë ia kanë kërkuar shkëputjen e bashkëpunimit.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i ka bërë apel Serbisë që të largohet nga varësia e gazit dhe naftës ruse./Prishtinapress/