Në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule.
Në 25-vjetorin e kësaj masakre, kryeministri përkujtoi 54 civilët shqiptarë, të vrarë mizorisht nga gjenocidi i ushtrisë serbe.
Kurti u shpreh se kjo masakër brutale nuk fshihet nga kujtesa e popullit shqiptar. Ai tha se kjo paraqet plagë të hapur e që kullon, meqenëse ende nuk ka drejtësi për krimet e kryera nga Serbia.
“Gjaku i derdhur, e kufomat të bëra hi, të cilat nuk kanë mundur të ndahen për t’u varrosur në mënyrë të dinjitetshme ndaras por është dashur që të bëhen bashkërisht, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës”, tha kryeministri.
Ai shtoi se fakti qe pasi që i kanë vrarë, i kanë grumbulluar e i kanë djegur në përpjekje për ta zhdukur gjurmën e krimit, tregon se sa fajtor janë ata kriminelë.
Kryeministri Kurti, ritheksoi se gjatë vitit të kaluar, më 1 qershor, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i ka dërguar letër presidentit të Serbisë që të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave. E njëjta kërkesë i është dërguar edhe zëvendës presidentit të Komisionit Evropian, përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, por që ende nuk ka ndonjë përgjigje në lidhje me domosdoshmërinë e hapjes së arkivës.
Pas homazheve dhe vendosjes së luleve tek varrezat e të vrarëve, kryeministri vizitoi edhe shtëpinë muze të familjes Muqolli, në të cilën janë vrarë dhe djegur civilë shqiptarë të pambrojtur, të paarmatosur.
Në këto homazhe kryeministri Kurti, ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.