Site icon PrishtinaPress

Kurti bën thirrje për vaksinim: Asnjë i vaksinuar nuk ka vdekur nga Covid-19

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen, thotë se është mënyra më e mirë të ju përgjigjur koronavirusit. Ditën e sotme qeveria e Kosovës miratoi masat e reja kundër përhapjes së Covid-19 në vend.

Autoritetet në Kosovë kanë njoftuar se në vend varianti Delta i virusit korona është dominues derisa raste të shumta po regjistrohen çdo ditë. Prandaj kërkohet nga qytetarët që të vaksinohet sa më parë. Ndërkohë kryeministri tregoi se asnjë i vdekur nuk është regjistruar nga ata që ishin vaksinuar kundër Covid-19.

“Vaksinimi është e vetmja mënyrë për të parandaluar. Sipas raporteve që kemi asnjë të vdekur nuk e kemi nga ata që janë vaksinuar. Kemi shumë pak të hospitalizuar nga ata që janë vaksinuar dhe të hospitalizuarit e vaksinuar po e përballojnë shumë më lehtë”, shkroi Kurti në Facebook.

“Përballë përhapjes eksplozive të variantit Delta të virusit, krahas respektimit të masave, për secilin prej nesh mburoja është vaksina, kurse për të gjithë së bashku vaksinimi masiv’, shtoi ai.

Shkrimi i plotë:

Distanca fizike, maskat dhe higjiena personale janë të domosdoshme, por detyrë mbi çdo detyrë për të gjithë ne si qytetarë të përgjegjshëm të Republikës së Kosovës është vaksinimi.

Varianti Delta i virusit Corona tanimë është varianti dominues në Kosovë. Ashtu siç është parë edhe në botë, kjo valë është më dramatike se secila valë tjetër, për shkak të përhapjes shumë të shpejtë të virusit.

Vaksinimi është e vetmja mënyrë për të parandaluar. Sipas raporteve që kemi asnjë të vdekur nuk e kemi nga ata që janë vaksinuar. Kemi shumë pak të hospitalizuar nga ata që janë vaksinuar dhe të hospitalizuarit e vaksinuar po e përballojnë shumë më lehtë.

Pavarësisht se ne kemi filluar më së voni me procesin e vaksinimit për shkak të mungesave që i kemi gjetur, me ritmin dhe dinamikën e ditëve të fundit, kemi arritur të vaksinojmë një numër të konsiderueshëm të qytetarëve tanë. Janë administruar mbi 635 mijë vaksina, ndërsa mbi 220 mijë qytetarë janë vaksinuar më të dy dozat.

Për menaxhimin e pandemisë dhe në përkrahje të procesit të vaksinimit kundër COVID-19, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, morëm vendim për angazhimin e 1.116 profesionistëve shëndetësor dhe stafit mbështetës për tre muaj, me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj shtesë, në shumë totale prej 3.192.854 euro.

Në anën tjetër, përkundër asaj se vaksinimi po shkon mirë, e kemi të detyrueshme ndërmarrjen e masave të reja të cilat do ta ngadalësojnë ritmin e infeksioneve dhe me këtë të ruajmë shëndetin publik. Prandaj, duke ju referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidemiologjike, morëm vendim për masa të reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Përballë përhapjes eksplozive të variantit Delta të virusit, krahas respektimit të masave, për secilin prej nesh mburoja është vaksina, kurse për të gjithë së bashku vaksinimi masiv.

Ju bëj thirrje që të caktoni terminet për vaksinim në platformën https://ekosova.rks-gov.net  dhe të vazhdojmë me procesin e vaksinimit, sepse varianti Delta është i pandalshëm.

Të përgjegjshëm individualisht dhe për njëri-tjetrin, bashkë ia dalim!

Exit mobile version