Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka pranuar që ai ta shkruaj draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kurti tha se tani janë duke pritur draft-statutin e shkruar nga ekipi menaxhues, i caktuar nga marrëveshjet e kaluara në dialog.
“Në takimin e Ohrit kam pranuar që draft-statutin ta shkruaj unë por me ato tri shtyllat parimore që duhet pranuar parimisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit para një dekade”, tha Kurti.
Ai tha se ndërmjetësit të dialogut i mbetet të përcaktojë agjendën e takimit të 2 majit në Bruksel, derisa edhe bëri të ditur se në fundjavë do të takohet me emisarin e BE-së, për dialog, Miroslav Lajçak.
“Pra tash i përket ndërmjetësit që ta përcaktojë agjendën e takimit të datës 2 maj, ndërkaq unë do ta takoj në një konferencë ndërmjetësin Lajçak. Nuk ka anëtar të grupit punues nga ana jonë. Unë e kam zëvendësin tim i cili në portofolin e tij është përgjegjës për integrimet evropiane”, u shpreh Kurti.
Këto komente Kurti i bëri pas publikimit te draft-programit kombëtar për shkencë.