Site icon PrishtinaPress

Kurti bashkë me Muratin dhe Krasniqin takohen me kryetarët e komunave

Kryeministri Albin Kurti, me bashkëpraninë e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati,  kanë zhvilluar takimin e shtatë të rregullt me kryetarët e komunave.

“Në këtë takim, u ritheksuan arritjet e Qeverisë në këtë mandat, sikurse rritja e të punësuarve, rritja e Bruto Produktit Vendor, shpërndarja e rreth 1.3 miliardë euro te qytetarët dhe bizneset, rritja e pagës minimale dy herë brenda mandatit, e së fundmi edhe skemën e re pensionale me 20% rritje për mbi 304 mijë pensionistë”, shkruan në kumtesë.

“Sa i përket përfitimit direkt të komunave, Kryeministri Kurti përmendi fillimin e projektit për banim të përballueshëm në 13 komuna, e që deri tani janë nënshkruar 5 marrëveshje, si dhe ndërtimin e shtëpive nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me mbi 130 shtëpi të ndërtuara dhe 200 të tjera në proces të ndërtimit, vetëm në katër komunat në veri të vendit”, thuhet tutje aty.

Ndër temat e trajtuara në këtë mbledhje të përbashkët ishte edhe çështja e qenve endacakë, ku kryeministri shprehu se menaxhimi efikas kërkon koordinim të plotë midis dy niveleve dhe u shpreh i gatshëm që qeveria të bashkëfinancojë bazuar në nevojat reale, duke i siguruar qytetarët nga sulmet e qenve endacakë.

Në anën tjetër, projekti “Ndërlidhja e qytetarit me adresë zyrtare”, i cili synon përmirësimin e administratës publike dhe shërbimeve për qytetarët duke krijuar adresa unike dhe zyrtare, ishte temë tjetër e diskutimit.

“Kjo do të lehtësojë proceset e regjistrimit të adresave, do të rrisë sigurinë dhe do të ndihmojë planifikimin e qëndrueshëm të komunave. Me këtë sistem, qytetarët nuk do të kenë më nevojë për dokumente shtesë për regjistrim, fatura, por do të mund të deklarojnë adresën vetëm me emërtimet zyrtare të rrugëve, duke bërë administratën më të organizuar e gjithsesi edhe më efikase”, shtoi Kurti.

Në lidhje me çështjen e kontratës kolektive, kryeministri  theksoi se qeveria ka për qëllim vendosjen e ligjshmërisë, andaj sipas tij çdo tendencë apo veprim në drejtim të zbatimit të kontratave jashtë fuqisë së ligjit dëmton punëtorin, sundimin e ligjit dhe Republikën.

Ai shtoi se kjo çështje kërkon diskutim të hapur e të gjerë me punëtorët bashkë, për hartimin e pastaj zbatimin e kontratave kolektive që reflektojnë nevojën, mundin dhe të drejtën e punëtorit në Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se është kënaqësi gjithmonë të organizojmë tryeza të tilla diskutimi, raporton Klankosova.tv.

Siç tha ai, mundësia për ofrimin e zgjidhjeve janë kryetarët e komunave dhe niveli qendror, të cilët hartojnë politika dhe implementojnë programe, në mënyrë që jeta e qytetarëve të përmirësohet dhe të ngritet standardi i tyre i jetesës.

Exit mobile version