Site icon PrishtinaPress

Kurti apo Hoti kryeministër, kontesti që mund të përfundojë në Kushtetuese

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kandidati i saj për pozitën e kryeministrit, Avdullah Hoti, po i vazhdojnë përpjekjet për krijimin e koalicionit qeverisës, mbi bazën e mandatit që kësaj partie ia ka ofruar presidenti Hashim Thaçi, edhe pse letra e tij nuk është bërë ende publike.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përsëritur se do ta kontestojë formimin e kësaj qeverie përmes Gjykatës Kushtetuese, sapo të bëhet publike letra apo shkresa zyrtare e presidentit.

Aktualisht, LDK-ja ka marrë miratimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për formimin e koalicionit, kurse është në pritje të përgjigjeve zyrtare edhe nga Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re, Lista Serbe dhe partitë nga pakicat tjera.

Por, pavarësisht se nga partitë tjera ende nuk ka marrë qëndrimin zyrtar, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se ai pret që, mbase javën e ardhshme, koalicioni mund të jetë gati dhe të kërkojë votat e miratimit në Kuvendin e Kosovës.

Për miratimin e qeverisë në kuvend kërkohen të paktën 61 vota për, të deputetëve.

LDK-ja ka 28 deputetë. Por, 4 prej tyre, edhe sipas deklaratave të vetë zyrtarëve të LDK-së, mbeten në pikëpyetje nëse do ta mbështesin qeverinë e re, ku bën pjesë edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

AAK-ja ka 13 deputetë, Lista Serbe 10, Nisma Socialdemokrate 4 dhe Aleanca Kosova e Re 2 deputetë. Mbetet po ashtu i paqartë numri i votave nga pakicat joserbe, që përbëjnë 10 deputetë, por 4 prej tyre nuk janë pjesë e grupit 6 Plus, që i përfaqëson këto komunitete në Kuvend.

Pas rrethit të parë të bisedimeve me partitë politike, vetëm lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se e mbështet një qeveri të re, që do të drejtohej nga LDK-ja, por, siç ka thënë ai, në këtë qeveri, partia e tij do të dërgojë kryesisht ekspertë dhe jo figura të larta politike.

“Për ato përgjegjësi që ne do t’i marrim, do të çojmë ekspertë, pra njerëz që kanë ekspertizë, njerëz që dinë t’i kryejnë ato punë e që kanë edhe aftësi menaxheriale. Dhe, jam i bindur se nuk e shohim këtë qeveri si përmbushje të karrierës personale, por si kryerje të një përgjegjësie që na takon në këtë kohë krize”, ka thënë Haradinaj.

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, i cili ka marrë edhe mbështetjen e strukturave të partisë që të jetë i nominuari për pozitën e kryeministrit, beson se para vetes i ka tri sfida kryesore, nëse arrin fillimisht që të formojë qeverinë dhe të sigurojë mbështetjen në Kuvend.

“Unë kam marrë besimin nga LDK-ja për të provuar që të ndërtojmë ekipin dhe partneritetin me partitë tjera, për të ndërtuar qeverinë e re, e cila do ta ketë sfidën e parë menaxhimin e pandemisë; sfida e dytë do të jetë rimëkëmbja ekonomike, por, krahas kësaj, çështja e dialogut është çështje kryesore me të cilën do të ballafaqohemi në qeverinë e re”, ka thënë Hoti.

Por, përderisa Hoti po bëhet gati t’i renditë prioritetet e tij si kryeministër i ardhshëm, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, po e kundërshton formimin e qeverisë së drejtuar nga LDK-ja dhe ish-zëvendësi i tij.

Kurti ka thënë të premten gjatë një konference për media se qeveria e re po synohet të instalohet nga presidenti Hashim Thaçi, përmes shkeljeve kushtetuese.

Presidenti Hashim Thaçi, ka nënvizuar Kurti, po synon që Kosova të ketë një kryeministër të dobët, i cili do t’i mundësonte atij më shumë kompetenca dhe pushtet.

“Nuk bëhet fjalë për demokraci dhe legjitimitet, bëhet fjalë për dëshirën e presidentit që ta ketë një kryeministër të dobët. Meqenëse presidenti dëshiron të jetë më shumë se president, atij i nevojitet një kryeministër që është më pak se kryeministër”, ka thënë Kurti.

Me përpjekjet për formimin e qeverisë së re, presidenti Thaçi, sipas kryeministrit në detyrë Kurti, po bën shkelje të rënda të kushtetutës, duke pretenduar që t’ia japë mandatin Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë.

Ai ka thënë se nuk e ka ende në dorë letrën zyrtare të presidentit, me të cilën i kërkon LDK-së që ta formojë qeverinë, pasi që në momentin që do ta ketë këtë shkresë zyrtare, Kurti ka thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Thaçi duhet ta respektojë Kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë”, ka thënë kryeministri në detyrë, duke shtruar më pas dilemën se si ka ardhur në përfundim Thaçi se Vetëvendosje nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e vet për propozimin e mandatarit, kur Vetëvendosje nuk e ka thënë një gjë të tillë.

“Letra e parë që ma dërgoi presidenti pas mocionit të mosbesimit, ishte më 2 prill, kurse në pasditen e 22 prillit konstatoi që ne po e refuzojmë. Kjo është arbitrare. Ku shkruan në Kushtetutë që 20 ditë më pas, presidenti duhet të konkludojë që është refuzuar mandatimi për kryeministër”, ka thënë Kurti.

Nisur nga këto kundërthënie, njohësit e së drejtës kushtetuese dhe analistët politikë parashikojnë që çështja e mandatit rreth formimit të qeverisë së re dhe interpretimi i procedurave do të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese për aktgjykim.

Qeveria Kurti është rrëzuar me mocion mosbesimi në Kuvend më 25 mars. Që atëherë, presidenti i Kosovës ka nisur konsultimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re.

Më 22 prill, presidenti Thaçi ka konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, përkundër pesë thirrjeve të tij, nuk e ka shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia ka kaluar LDK-së. /rel

Exit mobile version