Site icon PrishtinaPress

Kurti, ambasadorëve të QUINT-it: Veprimet e Thaçit janë përtej mandatit tij kushtetues

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, sot gjatë ditës kanë pritur në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përkatësisht ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ambasadorin e Gjermanisë,  Christian Heldt, ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando, dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Siç njofton qeveria përmes një komunikate, kryeministri në detyrë i njoftoi ambasadorët mbi mbarëvajtjen e vendimeve të Qeverisë për menaxhimin dhe parandalimin e COVID-19 dhe me situatën aktuale me numrin e të infektuarëve si dhe gjendjen e tyre.

Ai po ashtu i njoftoi se pas Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria në detyrë po zhvillon përgatitjet e nevojshme për hartimin e pakos së dytë financiare, e cila do të ketë për qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë pas goditjes nga pandemia.

Më pastaj, në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, Kurti, theksoi se veprimet e fundit të Presidentit Thaçi janë përtej mandatit të tij kushtetues dhe në kundërshtim me rendin demokratik.

Kurti shtoi se si rezultat i këtyre përpjekjeve për të formuar Qeveri të re duke anashkaluar zgjedhjet e parakohshme, qytetarët asnjë herë më parë nuk kanë qenë më të zemëruar.

“Veprime të tilla shkojnë kundër vullnetit të qytetarëve dhe janë cenim i parimit të demokracisë”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version