Site icon PrishtinaPress

Kur mund t’i marrë Kosova “Javelin”-ët dhe a mundet Kongresi të bllokojë shitjen e tyre

Edhe pse Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Pentagoni së fundi i dhanë dritën jeshile ShBA-së për t’i shitur Kosovës 246 raketa “Javelin” me një çmim prej 75 milionë dollarësh, kjo nuk do të thotë se raketat do të mbërrijnë menjëherë në Kosovë. Pengesa e parë mund të jetë Kongresi, nëse kërkesa e Prishtinës ngec në grindjet politike të republikanëve dhe demokratëve. Një sfidë tjetër mund të jetë kërkesa aktuale për “Javelin” nga Ukraina dhe vende të tjera.

Pas miratimit nga Departamenti i Shtetit, kërkesa për shitjen e armëve është në duart e Kongresit – i cili nuk duhet ta miratojë zyrtarisht shitjen, por nëse dëshiron ta pengojë atë – duhet të miratojë një rezolutë për të. Për momentin, i vetmi kundërshtim publik ndaj shitjes ishte anëtarja republikane e Kongresit dhe bashkëkryetarja e lobit serb, Claudia Tenney.

“Kongresi ka 30 ditë për të miratuar një rezolutë të tillë që kërkon një shumicë në të dyja Dhomat, dhe presidenti gjithashtu mund të vërë veton ndaj saj. Megjithatë, nuk më duket se ka shumë kundërshtime në Kongres tani për të ndikuar në shitje. Gjithashtu, çështjet e shitjes së armëve shpesh mbahen larg syrit të publikut – nëse nuk shpërthen ndonjë skandal. Për shkak të gjithë kësaj, unë besoj se shitja do të miratohet në këtë seancë të Kongresit”, shpjegon për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe Jonathan Ellis Allen, ekspert për çështjet ushtarake dhe të politikës së jashtme në Institutin CATO me qendër në Uashington.

“Siç e dini, Serbia shpenzon shumë para për të ndikuar në opinionin publik në Uashington dhe disa pozicione në Kongres, ka miq në Dhomën e Përfaqësuesve dhe pres që të ketë kundërshtime. Por, nuk besoj se do të jetë një çështje e madhe që do të jetë në ballinat këtu… Dhe nëse e keni ndjekur politikën amerikane këtyre viteve, do të shihni që Dhoma aktuale e Përfaqësuesve nuk është në gjendje të bjerë dakord për më të thjeshtat rezoluta. Kjo është arsyeja pse unë nuk pres që të ketë mjaft opozitë në Kongres për të bllokuar këtë shitje”, tha për “Zërin e Amerikës” Thomas Countryman, ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe një diplomat që mbikëqyri procesin e shitjes së armëve. Countryman tani është drejtor bordi i Shoqatës së Kontrollit të Armëve.

Diplomati prej shumë vitesh sqaron se miratimi i kërkesës për shitje dhe dorëzimi i armëve janë dy gjëra të ndara. Kërkesa mund t’i kalojë institucioneve amerikane gjatë këtij viti, gjë që nuk mund të nënkuptojë edhe për dorëzimin.

Me fjalë të tjera, Kosova do të mund të presë për “Javelin” me muaj apo vite.

“Pasi miratohet nga Kongresi, zakonisht duhen 32 muaj që armët të dorëzohen. Sasia prej 246 ‘Javelin’ është relativisht e vogël. Shtetet e Bashkuara prodhojnë aktualisht rreth 2,100 ‘Javelin’ në vit, me synimin për ta rritur këtë numër në 3,960 deri në vitin 2026”, thotë Jonathan Ellis Allen.

Edhe pse Kosova kërkoi pak më shumë se një të dhjetën e prodhimit vjetor, pyetja është se kur do të vijë radha e tyre – e cila është e gjatë.

Raketat “Javelin” janë shumë të kërkuara në Ukrainë dhe Kievi i ka dërguar një kërkesë Uashingtonit për raketa shtesë. Përveç kësaj, ekziston nevoja që Amerika të plotësojë furnizimet e saj. “Javelin”-ët për Pentagonin prodhohen nga kompanitë private “Lockheed Martin” dhe “Rayton”.

“SHBA kishte rreth 20,000 ‘Javelin’ në stokun e saj përpara pushtimit të Ukrainës nga Putini. Të paktën 7,000 ‘Javelin’ u dërguan në Ukrainë në vitin 2022, rreth një e treta e stokut. Nuk e di sa janë dhënë në 2023, por ndoshta më pak. Nëse merret parasysh prodhimi vjetor, është e qartë se numri i raketave për Kosovën mund të prodhohet. Por tani ka nevojë jo vetëm për të rikthyer stoqet e ‘Javelin’-ëve në Amerikë, por edhe për të vazhduar dërgesat në Ukrainë dhe Tajvan”, thotë Countryman, duke shtuar se ai nuk beson se Kosova mund të marrë raketa këtë vit pikërisht për shkak të furnizimit të kufizuar dhe dërgesave tjera prioritare.

“‘Javelin’-ët nuk ngritin tensione”

Pas njoftimit se ShBA-ja do t’i shesë raketa “Javelin” Kosovës, nga Beogradi mbërritën mesazhe “zhgënjimi” dhe njoftime se do të armatosnin edhe ushtrinë e tyre.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha të dielën se shitja e “Javelin”-ëve në Kosovë është “rrezik për Serbinë”, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Macedonci, më herët kishte deklaruar se “Javelin”-ët do ta ndihmojnë Kosovën të mbrohet nga pushtimi apo çdo kërcënim tjetër.

Thomas Countryman, i cili ka një përvojë shumëvjeçare në këto çështje, tregon se vendimet për blerjet e armëve merren për disa arsye: për të përmirësuar sigurinë e vendit, por edhe për të dërguar një mesazh politik.

“Kur qeveria e Vuçiqit blen armë nga Rusia apo Kina, është gjithashtu një sinjal për publikun vendas. Është sinjal edhe për fqinjët, veçanërisht për Kosovën. Dhe ai sinjal është edhe më i fortë kur Serbia dërgon njësi ushtarake në kufirin me Kosovën në kohë tensioni, ose kur arrestojnë kriminelët në Kosovë me rezerva të mëdha armësh – gjë që e kam të vështirë ta besoj se qeveria në Beograd nuk e dinte paraprakisht. Dhe kur qeveria e Kosovës vendos se do të ishte e mençur të blejë ‘Javelin’ në rast se dikush dërgon tanke në Kosovë, është gjithashtu një vendim ushtarak dhe një sinjal politik – se nuk do të frikësohet nga kërcënimet ushtarake. Çështja kyçe në lidhje me stabilitetin nuk është nëse ‘Javelin’-ët e ndryshojnë ekuilibrin ushtarak – ‘Javelin’-ët nuk do të përdoren nëse Serbia nuk dërgon tanke në Kosovë, kjo është logjikë ushtarake”.

Countryman përfundon se stabiliteti në rajon “nuk varet nga ekuilibri i armëve, por nga vullneti i liderëve në Beograd dhe Prishtinë për të punuar për normalizimin politik”.

“Dhe unë nuk shoh vullnet të mjaftueshëm nga asnjëra palë për të bërë përparim në këtë çështje”.

Exit mobile version