Site icon PrishtinaPress

Kur Kryeministri rus e kthente aeroplanin mbi Atlantik për shkak të Kosovës. A do të përsëritet historia?

Teksa raportet SHBA-Rusi janë acaruar për shkak të invadimit të mundshëm të Ukrainës nga regjimi i Vladimir Putin, Moska dhe Washingtoni megjithatë  po i ruajnë kontaktet në përpjekje për të gjetur zgjidhje diplomatike.

Kështu, shefat e diplomacive amerikane dhe ruse janë dakorduar që të mbajnë një takim të ri gjatë javës së ardhshme diku në Europë. Sekretari amerikan Anthony Blinken i ka thënë po homologut të tij rus Sergey Lavrov, për një takim të ri, por me një kusht – nëse nuk fillon sulmi rus ndaj Ukrainës.

E gjithë kjo situatë, ia ka kujtuar gazetarit britanik Tim Judah një episod të kohës së luftës së Kosovës, kur Kryeministri rus Yevgeny Primakov e kishte detyruar ekuipazhin e aeroplanit që po e çonte në SHBA të kthehej për shkak se përpjekjet diplomatike kishin dështuar dhe Millosheviqi do të bombardohej. Primakov nuk donte që nisja e bombardimeve ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë ta gjente në Amerikë.

Pikërisht për këtë arsye, Judah gazetar i The Economist dhe reporter lufte nga Kosova e vitit 1999, sheh ngjashmëri se si rusët mund të hakmerren kur Blinken të niset drejt Europës për ta takuar Lavrovin, duke e vënë në pozitë të Primakovit dikur.

“Vetëm pak para fillimit të luftës së Kosovës në mars të vitit 1999, Kryeministri rus Priakov ishte rrugës nga Moska drejt Washingtonit. Ai raportohet se kishte thënë se nuk do të shkojë atje nëse nuk ka shpresa se bombardimet do të ndalen. Në gjysmë të rrugës mbi Atlantik ai mori një mesazh se do të fillojë (lufta) kështu që u kthye prapa. Pas gjithë këtyre viteve, nëse Rusia vendos të hakmerret dhe ia bënë këtë Anthony Blinkenit, atëhëre këtë e keni dëgjuar këtu për herë të parë” ka shkruar Judah.

Por, cfarë kishte ndodhur para 23 viteve, sipas një shkrimi të Washington Post, të datës, 24 mars 1999?

“Ishte or 9:30 paradite në Washington kur Zëvendëspresidenti Gore (Al Gore), mori një telefonatë nga Shannon, Irlandë, ku po mbushej me karburant aeroplani që po e barte Kryeministrin rus Yevgeny Primakov nga Moska drejt Washingtonit.

Primakov donte të dinte për bisedimet e Emisarit amerikan Richard C. Holbrooke me liderin jugosllav, Presidentin Slobodan Milosevic. A ka progres? A ka shpresë për arritjen e një marrëveshjeje për Kosovën që do t’i mënjanonte sulmet e NATO’s. Ende jo, iu tha Primakovit. Punët s’po duken mirë, transmeton Gazeta Express.

E dimë se nuk po doni të jeni këtu nëse NATO nisë bombardimet ndaj Serbisë, kështu që ndoshta duhet të rrini në Irlandë në rast se ka ndonjë depërtim në minutat e fundit. Jo, tha Primakov, sipas shënimeve të zyrtarëve amerikanë që e kanë parafrazuar këtë bisedë, unë do të nisem (drejt Amerikës). Por nëse më thoni se nuk ka shpresë për zgjidhje diplomatike, unë do të kthehem prapa dhe do të shkojë në shtëpi.

Tri orë më vonë, Primakov e bëri saktësisht këtë kur anuloi një raund të bisedave të nivelit të lartë për ekonomi dhe siguri të aranazhuara shumë më herët. Pasi Gore telefonoi prapë për t’i treguar se SHBA dhe aleatët kanë ardhur në përfundim se bombardimet ishin e vetmja alternativë e mbetur, Primakov urdhëroi ekuipazhin e tij ta kthejnë aeroplanin në mes të fluturimit mbi Atlantik dhe u kthye në Moskë, duke i dramatizuar vërejtjet e Rusisë”.

Departamenti amerikan i shtetit ka thënë të mërkurën se Blinken e ka pranuar një ftesë për të takuar Lavrovin nëse nuk sulmohet Ukraina. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se Blinken i ka dërguar letër Lavrovit ku i ka propozuar një takim diku në Europë.

Exit mobile version