Nga 30 autobusë, tani ka shkuar në 51 numri në Trafikun Urban për linjat 1, 3, 4 dhe të tjera.
Ky numër gjatë këtij viti pritët të shkojë në 81.
Puna fillon nga ora 06:00 e mëngjesit e përfundon në 24:00 në Trafikun Urban.
Mungesë të punëtorëve nuk ka në kompaninë publike të transportit në Prishtinë.
Kështu kanë bërë të ditur për Front Online nga zyra për Media e Trafikut Urban.
“Ju njoftojmë se në linjat e Trafikut Urban operojmë nga ora 06:00 deri në orën 24:00 me kapacitet të plotë të flotës në përbërje prej 51 autobusëve dhe se në orët e fluksit në planifikim janë të paraparë frekuentim me i shpeshte i autobusëve. Stafi i Trafikut Urban është i plotësuar në bazë të rregullores për sistematizim të vendeve të punës dhe fatmirësisht nuk ka mungese të punëtoreve pasi që punëtoret trajtohen dinjitetshëm me kushtet e punës”, thuhet në përgjigjën e tyre.
Njëra ndër sfidat kryesore të kompanisë publike të transportit mbetët ngarkesa e komunikacionit.
“Sfida kryesore është ngarkesat në komunikacion si dhe mungesa e shiritit të veçantë për qarkullim të autobusëve”.
Nga kërkesa e shumtë e qytetarëve për shërbimin me autobusët e Trafikut Urban pritët blerja e disave prej tyre.
“Duke pasur parasysh kërkesat e banoreve të lagjeve të cilat nuk kanë transport publik si dhe numrin e lartë të qytetarëve të cilët kanë kërkesa për shërbim me autobusët e TU-se, ne jemi në procedura për blerjen e 30 autobusëve te rijnë”, thuhet në përgjigjen e Trafikut Urban.
Edhe shtimi i linjat të reja nuk do të mungojnë në Prishtinë.
“Me ardhjen e autobusëve të rijnë planifikohet edhe zgjerimi i rrjetit të linjave”.
Ndryshe, numri i autobusëve që u blenë nga ish-kryetari i komunës së kryeqytetit, Shpend Ahmeti herën e fundit ishte 21, në 2018-ën.
Ahmeti pati thënë se nëpërmjet këtij investimi do të plotësohet zotimi elektoral i tij, për 80 autobusë në pronësi publike.