Furnizimi me ujë të pijes, rregullimi i kanalizimeve, hapësirat gjelbëruese në Komunën e Vushtrrisë, janë vetëm disa prej premtimeve nga i pari i kësaj komune, Ferid Idrizi, në fushatën e fundit në zgjedhjet lokale, shkruan Prishtinapress.
Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të viti 2021 në Komunën e Vushtrrisë u dhanë edhe disa premtime të mëdha, për të cilat tashmë, ka filluar realizimi i tyre.
Komuna e Vushtrrisë , në një përgjigje për Prishtinapress, ka treguar se rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit po vazhdon të shtrihet në shumë fshatra dhe se, sipas komunës, do të përfundojë në vitin 2023.
“Po, madje për vitin fiskal 2023, parashihet që rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit të përfundoj”, kështu e konfirmoi Komuna e Vushtrrisë, në një përgjigje për Prishtinapress.
Më tej, kjo komunë, në planifikimet e saj ka tregun e gjelbër, për të cilin është premtuar edhe një parking nëntokësor.
“Tregu i Gjelbër i cili do te filloj shume shpejt se bashku me parkingun nëntokësor”, thuhet tutje në përgjigje.
Zyrtarë të Komunës së Vushtrrisë pohojnë se vetëm në fillim të mandatit tashmë kanë filluar të vërehen ndryshime, duke i përmendur projektet “Vushtrri e Gjelbër”, “Vushtrri e Pastër”, të cilat kanë qenë premtim gjatë fushatës zgjedhore.
E sa iu përket projekteve që kanë premtuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në krye me kryetarin e tanishëm të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tashmë ka filluar që numri i bursave të rritet dhe ka dyfishim të subvencioneve.
“Numri i bursave është rritur, subvencionimi i trajnimet profesionale, dyfishimi i subvencioneve ne te gjitha kategoritë, për herë të parë në Vushtrri qumështi subvencionohet me 5 cent për litër, 50% subvencionim nga komuna për ujitjen e tokave (viti i parë veç se ka përfunduar)”, thuhet në përgjigje.
Ndërkaq, sa i përket bashkëpunimit me asamblistët e kësaj komune, nga subjektet tjera politike, sipas tyre janë të shkëlqyeshme.
“Raportet mes asamblistëve të të tjera subjekteve politike janë të shkëlqyeshme.
Këtë e dëshmon edhe votimi i buxhetit me te gjitha votat “për” dhe asnjë “kundër””, njofton komuna.
Ndërsa, sfidë për këtë komunë mbetet inflacioni.
Kujtojmë se në Kosovë e çmimet janë rritur dhe sipas Agjencisë së Statistikave, inflacioni në Kosovë në muajt qershor e korrik ishte i lartë 14.1% në qershor dhe 14 ,2% në korrik
Ndërsa Banka Botërore për sigurinë ushqimore “Food Security”, nga prilli deri në korrik 2022, inflacioni i lartë në produkte ushqimore vazhdon në pothuajse të gjitha vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme./Prishtinapress/