Fotografitë e një pjesë të armëve që Policia e Kosovës sekuestroi që nga 24 shtatori i këtij viti nga grupi terrorist që kreu sulm në Banjskë të Zveçanit, u prezantuan të dielën nga Policia e Kosovës.
Drejtori i PK-së, Gazmend Hoxha tregoi se ku dhe kur u prodhuan një pjesë e këtyre armëve, e që në mesin e tyre pati edhe armë që u prodhuan në vitin 2023, e që janë prodhim serb.
“Predhat janë të prodhuara në 2023 në Serbi, është pushko-mitrolezi 30mm, i cili është për qëllim të sulmit të këmbësorisë dhe mjeteve të blinduara” – tha ai.
Ai tutje shtoi se në mesin e armëve ka edhe disa raketahedhës që janë prodhim serb.
Hoxha gjatë prezantimit përmendi se viti i prodhimit të këtyre “Zola-ve” janë 2017-2021.
“Kemi siguruar 7 mjete të tilla të përdorura ndaj PK-së” – tha drejtori teksa shtoi se në mesin e armëve luftarake ka edhe minë kundër këmbësorisë.
Kjo minë tha se është prodhim ushtarak serb, e se vitit prodhimit është 1984.
“Këto janë mina anti-tankë, për qëllime ushtarake, janë prodhim i vitit 1969, prodhim serb. Është një minahedhës, 88mm, është përdor disa herë ditën e diel në sulm ndaj forcave tona policore” – shtoi tutje Hoxha.
Ai prezantoi edhe një minahedhës tjetër 60mm, i cili tha se është gjet më 24 shtator në rrethinat e manastirit.
“Qëllimin e ka për luftimin kundër këmbësorisë dhe istikameve. Po ashtu ka predha 80mm, viti i prodhimit 1990, prodhim i Serbisë, e ka edhe predha të njëjta, por 82mm” – tha ai.
Hoxha gjithashtu prezantoi edhe një hedhës automatik, i cili përdoret për predhat 30mm që janë gjetur nga PK e të cilat janë prodhuar në vitin 2023.
Drejtori shtoi se edhe ka edhe armë AK-47, që sipas tij janë prodhim i Serbisë e që janë të gjetura në dhe rreth vendit të ngjarjes.
Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.
Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.
Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.
Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.
Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.
Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.
Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.
Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.
Zhvillime të shumta pati që nga data e lartpërmendur. Në kufi me Kosovën, Serbia shtoi praninë e trupave ushtarake.
Mirëpo më 30 shtator 2023, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk e ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe se do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.
“Vitin e kaluar kishim 14,000 njerëz pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000” – tha Vuçiq për “Financial Times”.
Më 29 shtator 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.
E një ditë më pas, të shtunën, edhe Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian i kërkuan po ashtu Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri. /Kallxo