Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, e ka cilësuar si një person shumë të fortë Ramush Haradinajn, liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke thënë se ai duhet të kthehet menjëherë në vendin e tij.
Gjatë fjalimit në seancën plenare të Kuvendit, Kuqi ka thënë se arrestimi i Haradinajt në Francë është çështje politike dhe se qeveria është e gatshme të bëjë çdo gjë në mbrojtje të qytetarëve të vet.
“Duhet ta kemi parasysh qasjen politike dhe juridike që duhet ta kemi. Duhet të themi që në rastin Haradinaj dhe në rastet tjera që kanë mundur të ndodhin, është prekur interesi ynë kombëtar. Kjo çështje për Kosovën është kryekëput politike”.
“Çdo argument është në anën e drejtësisë, dhe në anën e kthimit të Haradinajt në vend dhe në skenën politike. Tash e disa herë po i bie Haradinajt të përballet me këso situatash, por ai e ka kurrizin më të fortë se disa të tjerë dhe i ka kaluar me sukses këto sfida”, ka thënë Kuqi.