Muajt e fundit, Serbia është angazhuar me dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian për arritje të marrëveshjeve strategjike. Disa ekspertë e kanë interpretuar gatishmërinë e vendeve të Perëndimit për të bashkëpunuar me Serbinë, si shembull të përpjekjeve për ta joshur atë larg orbitës së Rusisë.
Profesori amerikan, Charel Kupchan, tha se pret energji të re në dialog pas zgjedhjeve në SHBA.
Kupchan, i cili ka punuar në dy administrata amerikane atë të Presidentit Clinton dhe të Presidentit Obama, si drejtor për Evropën në Këshillin për Sigurinë Kombëtare, pret që trysnia mbi Prishtinën dhe Beogradin të rikthehet pas një pauze për shkak të zgjedhjeve në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara dhe mbetet optimist për një epilog të këtij procesi.
“Mendoj se të luash me kartën e Rusisë, të Kinës, nuk është opsion në afat të gjatë për shkak të vendndodhjes gjeografike. Ballkani është pjesë e një hapësire më të madhe evropiane. Popujt e rajonit duhet të ndihen të bekuar, me fat. Ata që jetojnë në Azinë Qendrore, në Armeni, në Azerbajxhan, pra afër Rusisë, afër Kinës, jetojnë në një zonë të pasigurt në një të ardhme pa afat. Ballkani nuk është një zonë e tillë, është në Evropë dhe për pasojë mendoj se këtij procesi do t’i vijë një fund pozitiv”, thotë ai.
Sipas Kupchan, në këtë cikël zgjedhor, Shtetet e Bashkuara janë shumë të përqendruara në planin e brendshëm dhe politika e jashtme, e dominuar nga Ukraina dhe lufta në Gazë, nuk do të jetë përparësi, por megjithatë pret energji të re në procesin e dialogut pas zgjedhjeve në SHBA dhe konsolidimit të zyrtarëve të lartë në BE.