Deklarata e kryetarit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Xhevat Latifi rreth një ligji të ri për këtë Komision dhe mundësisë së përfshirjes së mediave online që ofrojnë produkte audio-vizuale, në kuadër të këtij institucioni, ka ngjallur reagime mospajtuese të përfaqësueseve të mediave në Kosovë dhe institucioneve të tjera që merren me fushën.Të martën në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Medie, Latifi ka deklaruar se duhet një ligj të ri i KPM-së i cili pos tjerash, duhet të përfshijë përbrenda edhe portalet me produkte audio-vizuele që të jenë në kuadër të këtij institucioni, duke shtuar se janë dëshmitarë “të një gjendje toksike të fjalorit të mediave në Kosovë”.
“Kur e përmendim çështjen e ligjit të ri të KPM-së, pikërisht është pjesa audio-vizuele e portaleve të futet në kuadër të trajtimit të KPM-së”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se para Komisionit parlamentar, ka paraqitur kërkesat e shoqërisë e jo qëndrimin e tij e as të KPM-së.
“Unë kam thënë që në ligjin e ri do të ishte mirë që të përfshihen edhe portalet që merren me produkte audio-vizuele. Në ligjin e ri, jo tash. Jo të gjitha portalet, por ato që merren me pjesën audio-vizuele. Është vetëm kërkesë. Ne veç po e matim opinionin, shqetësimet e njerëzve. Nuk mund të themi se është formësuar kjo ide. Unë e kam paraqitur mendimin si shqetësim të shoqërisë, nuk mund të themi se është mendim i imi apo qëndrim i KPM-së, por si shqetësim i shoqërisë tonë”, ka theksuar Latifi.
Mundësinë e përfshirjes së pjesës audio-vizuele të mediave online në kuadër të kompetencave të KPM-së, po e kundërshtojnë Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), drejtuesit e mediave si dhe njohësit e fushës së mediave në Kosovë.
Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i KMShK-së në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se iniciativa e tillë bie ndesh me lirinë e shprehjes.
“KMShK është kundër çdo përpjekjeje për rregullimin qoftë edhe të pjesshëm të përmbajtjeve online. Mediat online duhet të mbeten pjesë e vetërregullimit dhe përpjekjet e kujdoqoftë për të ndërmarrë veprime që bien ndesh me lirinë e shprehjes, janë të papranueshme dhe nuk u ndihmojnë mediave dhe gazetarëve”, tha ai.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në një reagim të përbashkët me KMShK-në ka kundërshtuar idenë e lansuar dje.
Pas raportimit të KALLXO.com të martën në lidhje me deklaratën e kryetarit të KPM-së, Xhevat Latifi, KPM-ja të mërkurën doli me një sqarim për opinionin publik.
Sipas tyre, nuk është kërkuar që në procesin e amandamentimit të Ligjit për KPM-në, të përfshihet çështja e rregullimit mediave online në kuadër të kompetencave të KPM-së, siç është paraqitur në opinion përmes disa portaleve.
“KPM-ja ka kërkuar që në procesin e amandamentimit të Ligjit për KPM-në, të parashihen kompetenca sa i përket shërbimeve mediale audio-vizuele që shpërndahen në platforma online, ashtu siç është rekomanduar në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2020 të Parlamentit dhe Këshillit të Evropës dhe duke u bazuar në Direktivën 2018/1808 të Parlamentit dhe Këshillit të Evropës për Shërbime Mediale Audio-Vizuele (Audiovisual Media Services Directive)”, thuhet mes tjerash në këtë publikim.
Arsim Dreshaj, zyrtar i Lartë për Marrëdhënie me Publikun në KPM, ka kërkuar t’i referohemi Direktivës 2018/1808 të Parlamentit dhe Këshillit të Evropës për Shërbime Mediale Audiovizuale, pa dhënë sqarime shtesë.