Ekrem Imamoglu, rivali i Recep Tayyip Erdogan, dërgohet në paraburgim së bashku me dhjetëra punonjës dhe zyrtarë
Një gjykatë në Stamboll e ka arrestuar zyrtarisht kryetarin e bashkisë së qytetit, Ekrem Imamoglu, për akuza korrupsioni, duke e dërguar atë në paraburgim pikërisht ditën kur pritet ta marrë nominimin nga partia e tij për të kandiduar për president, shkruan The Guardian.
Kryebashkiaku i qytetit më të madh të Turqisë dhe rivali i presidentit Recep Tayyip Erdogan u burgos nën akuzat për drejtimin e një organizate kriminale, ryshfet, shpërdorim detyre dhe korrupsion, së bashku me dhjetëra punonjës të tij dhe zyrtarë bashkiakë.
Imamoglu dhe të paktën katër persona të tjerë u përballën gjithashtu me një grup të veçantë akuzash që e akuzonin atë për “ndihmë ndaj një grupi të armatosur terrorist”, për bashkëpunim me një koalicion politik të majtë përpara zgjedhjeve lokale vitin e kaluar.
Prokurorët vendosën se akuzat për korrupsion ishin të mjaftueshme për ta mbajtur atë në paraburgim.
Ky vendim pritet t’i lejojë Partisë Republikane Popullore (CHP), partinë më të madhe opozitare në Turqi, ta zgjedhë një kandidat për ta drejtuar bashkinë e Stambollit, në vend që shteti ta caktojë një kujdestar.
Imamoglu i ka mohuar akuzat kundër tij, duke u thënë hetuesve gjatë marrjes në pyetje se ndalimi i tij “jo vetëm që ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Turqisë, por gjithashtu ka shkatërruar ndjenjën e drejtësisë dhe besimin e publikut në ekonomi”.
Ai shtoi: “Si një mbrojtës i demokracisë dhe besimtar në fuqinë e popullit, kam besim se e vërteta do të dalë në pah”.
Zëdhënësi i tij kryesor, Murat Ongun, i cili gjithashtu u arrestua, shkroi në X: “U arrestova mbi shpifje që nuk bazoheshin në asnjë provë!”.
Arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit në një bastisje gjatë orëve të para të mëngjesit këtë javë ka shkaktuar protesta masive në të gjithë Turqinë, me dhjetëra mijëra njerëz që dalin në rrugë çdo natë dhe shpesh përplasje me policinë. Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, njoftoi se 323 persona të tjerë ishin ndaluar gjatë natës si pjesë e një hetimi mbi bashkinë e Stambollit, një ditë pasi kishte shpallur arrestimin e 343 protestuesve të tjerë.
Protestat në rritje kanë nxitur kritika të ashpra nga Erdogan, i cili i ka quajtur ato “terrorizëm rrugësh”.
Në një postim në X, ai shkroi: “Ditët e daljes në rrugë me organizata të majta dhe vandalë për ta sfiduar vullnetin kombëtar kanë marrë fund… Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që CHP dhe mbështetësit e saj ta prishin rendin publik dhe qetësinë e kombit tonë përmes provokimeve”.
Imamoglu u dërgua në paraburgim të njëjtën ditë kur 1.5 milionë anëtarë të CHP-së mbajtën një votim paraprak, që pritet ta mbështesë zyrtarisht kandidaturën e tij për president. Kryebashkiaku i Stambollit është kandidati i vetëm presidencial i partisë, duke e kthyer këtë votim në një demonstrim simbolik të mbështetjes.
Imamoglu prej kohësh shihet si i vetmi rival që mund ta mposhtë Erdoganin në zgjedhje. Zgjedhjet presidenciale në Turqi janë planifikuar të mbahen në vitin 2028, por pritet që ato të mbahet më herët.