Ballkani do të bëjë debutimin në garat evropiane më 5 korrik, kur në “Fadil Vokrri” do të përballet me ekipin nga Lituania, Zalgiris, nga ora 20:00.
Kjo ndeshje është e vlefshme për rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, shkruan Gazeta Express.
Në Lituani, po vazhdon kampionit vendor, teksa Zalgiris është në formë fantastike, duke u renditur në pozitën e parë në tabelë.
Ata kanë 35 pikë pas 16 ndeshjeve, dy më shumë se ndjekësi i parë, FK Panevezys.
Në 18 ndeshjet e fundit, Zalgiris ka shënuar vetëm një humbje, ndërsa ka 12 fitore dhe pesë barazime.
Kur kanë mbetur edhe 12 ditë deri në ndeshjen e parë të tyre, klubi lituanez deklaroi për Gazetën Express se ende nuk kanë arritur ta studiojnë lojën e kampionit të Kosovës, Ballkanit.
Kjo, pasi sipas tyre ishin të angazhuar me ndeshje kampionale, teksa sezoni në elitën e futbollit lituanez është duke vazhduar.
“Pas shortit të Ligës së Kampionëve, skuadra u fokusua në ndeshjet e rëndësishme të ligës vendore, kështu që nuk kishte ende mundësi për të studiuar më shumë për Ballkanin”, ishte përgjigjja e ekipit nga Lituania dhënë Gazetës Express.