Site icon PrishtinaPress

Kundërpërgjigja e ZPS-së ndaj mbrojtjes së Pjetër Shalës për vazhdim të paraburgimit

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është kundërpërgjigjur në parashtresën e mbrojtjes së Pjetër Shalës, të cilët kanë kërkuar që të zëvendësohet masa e paraburgimit me masë të arrestit shtëpiak.

Ndryshe, ZPS më 19 maj ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për Shalën, ashtu siç e ka kërkuar edhe me këtë parashtresë, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

‘‘ZPS kërkon nga Paneli që të urdhërojë vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit’’, thuhet në këtë përgjigje.

Në arsyetim të kësaj parashtrese thuhet se vendimi i Apelit për deklaratat e mëparshme rrit rrezikun e arratisjes së të akuzuarit dhe ZPS-ja qëndron pranë kërkesën e saj për rishqyrtim të gjetjeve të mëparshme të trupit gjykues në lidhje me këtë çështje.

“Parashtresat e mbrojtjes citojnë vetëm një pjesë të vendimit të Apelit mbi deklaratat e mëparshme, pa pranuar se Dhoma e Apelit nuk gjeti “asnjë tregues të pabesueshmërisë ose dëmtimit të mundshëm të integritetit të procedurës nëse pranohet intervista [2016]” dhe la në fuqi vendimin e trupit gjykues për ta konsideruar intervistën belge të vitit 2016 si ‘jo të papranueshme në përputhje me rregullin 138(2) të Rregullores’”, thuhet tutje.

Po ashtu thuhet se në çdo rast, shkelja e standardeve të të drejtave të njeriut e gjetur nga Dhoma e Apelit ka të bëjë vetëm me intervistën belge të vitit 2016, dhe jo edhe me intervistën e vitit 2019, ku i akuzuari në thelb bëri të njëjtat pranime.

‘‘Ndryshe nga parashtresat e mbrojtjes, rëndësia e vendimit të Apelit për deklaratat e mëparshme me rrezikun e arratisjes nuk kufizohet në deklaratat kërcënuese të akuzuarit që ka bërë më parë aty, por me rritjen e vëllimit të provave inkriminuese në procesverbalin e provave’’, thuhet në përgjigjen e ZPS.

Sipas ZPS-së, parashtresa e mbrojtjes se i akuzuari nuk ka demonstruar ‘indikacionin më të vogël të arratisjes’ injoron rrethanën e re në të cilën bazohet kërkesa e ZPS-së për rishqyrtim në lidhje me rrezikun e ikjes.

‘‘Vendimi i Apelit për deklaratat e mëparshme i jep të akuzuarit një nxitje të fortë për t’u larguar. Në këtë drejtim, të akuzuarit nuk do të kishin nevojë për burime të konsiderueshme financiare për ta bërë këtë. Ai mund të udhëtonte dhe të jetonte me lehtësi relative brenda territorit të Shengenit duke punuar në kantiere ndërtimi ose duke bërë lloje të tjera të punës fizike’’, thotë ZPS.

Më tej thuhet se, vlerësimi për këtë çështje është thjeshtë nëse rreziqet e nenit 41 vazhdojnë të ekzistojnë.

‘‘Duke urdhëruar vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, Kolegji së fundi ka rikonfirmuar se deklaratat kërcënuese të bëra në vitin 2016 dhe 2019 nga i akuzuari [REDAKTUAR] demonstrojnë gatishmërinë e të akuzuarit për të ushtruar dhunë ndaj tyre’’, thuhet në përgjigje.

Sipas ZPS-së, deklaratat e tilla janë në fakt të një rëndësie të veçantë duke pasur parasysh dëshminë aktuale n të dëshmitarit TW4-01.

‘‘Gjatë dëshmisë së TW4-01 më 30 maj 2023, [REDAKTUAR]. I pyetur nga kryetarja e trupit gjykues nëse ai mund ta ‘dëgjonte’ TW4-01, i akuzuari u përgjigj, në dy raste të ndryshme, se ai mund ta dëgjonte atë dhe ‘ta shihte’ shumë mirë. Në fund të seancës së dytë të mëngjesit, kryetarja e trupit gjykues e udhëzoi dëshmitarin që të mos e përsërisë se mundet ‘ta sheh [TW4-01]’ shumë mirë dhe do të mjaftonte të konfirmonte se mund ta dëgjonte. Këto deklarata janë veçanërisht të dukshme sepse [REDAKTUAR].’’, thuhet në fund të parashtresës.

Versioni publik të redaktuar të përgjigjes së prokurorisë ndaj parashtresës së mbrojtjes për shqyrtimin e njëmbëdhjetë të paraburgimit mund ta gjeni në gjuhën angleze: KËTU.

Mbrojtja kërkon që Pjetër Shalës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak

Mbrojtja e Pjetër Shalës përmes një parashtrese lidhur me shqyrtimin e njëmbëdhjetë të paraburgimit, ka kërkuar nga Paneli i Dhomave së Specializuara të Kosovës (DhSK) që Shalës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

“Mbrojtja me respekt kërkon nga Paneli që t’i japë fund ndalimit të vazhdueshëm të të akuzuarit dhe të urdhërojë lirimin e përkohshëm ose vendosjen e tij në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Belgjikë, duke iu nënshtruar çdo kushti që konsiderohet i përshtatshëm”, thuhet në parashtresë.

Aty thuhet se mbrojtja mban qëndrimin e saj se ekzistojnë masa të përshtatshme alternative ndaj paraburgimit dhe që duhet të merren parasysh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për shembull, kërkesa që i akuzuari të qëndrojë në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Belgjikë mund të zbusë mjaftueshëm çdo rrezik të mundshëm që vjen nga lirimi i përkohshëm i të akuzuarit”, thuhet tutje.

Po ashtu, sipas mbrojtjes, i akuzuari përsërit gatishmërinë e tij për t’u angazhuar dhe për të dhënë çdo garanci që konsiderohet e përshtatshme për të qëndruar në shtëpinë e tij, për të mos ndryshuar vendbanimin e tij, për të dorëzuar pasaportën dhe dokumentet e tjera të udhëtimit, për të raportuar çdo ditë në policinë belge ose autoritete të tjera të rëndësishme, t’i nënshtrohet monitorimit të ngushtë nga autoritetet, të paraqitet dhe të kthehet në gjykatë sa herë që urdhërohet për ta bërë këtë, dhe/ose t’i nënshtrohen çdo kushti tjetër që konsiderohet i përshtatshëm dhe i urdhëruar nga Paneli.

Po ashtu, thuhet se mbrojtja i mbështet plotësisht parashtresat e saj të mëparshme mbi paligjshmërinë e vazhdimit të paraburgimit të të akuzuarit.

Sipas mbrojtjes, siç është përsëritur së fundi nga Paneli, prezumimi i pafajësisë së të akuzuarit është pika fillestare për vlerësimin e vazhdimit të paraburgimit dhe barra për të vërtetuar se vazhdimi i paraburgimit është i domosdoshëm i takon vetëm Prokurorisë.

Ata theksojnë se e drejta për liri duhet të jetë rregull dhe paraburgimi duhet të jetë përjashtim, i cili lejohet vetëm kur tregohet se është rreptësishtë e nevojshme dhe proporcionale në atë që asnjë masë alternative nuk mund të zbusë një rrezik të paraqitur nga lirimi i përkohshëm.

Mbrojtja rithekson se siç konstatoi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, arsyet e përmendura për urdhërimin dhe zgjatjen e paraburgimit nuk duhet të jenë as të përgjithshme dhe as abstrakte dhe se për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit, kërkohen fakte specifike.

Sipas mendimit të mbrojtjes, thirrja e vazhdueshme e Prokurorisë në “stimujt dhe mjetet” e të akuzuarit pa ndonjë justifikim të mëtejshëm, si dhe “klima e përgjithshme e lartpërmendur e frikësimit […] dhe ndërhyrjes” nuk arrin të përmbushë testin e rreptë dhe të individualizuar për t’u aplikuar kjo masë.

Mbrojtja thekson se nuk ka pasur asnjë provë apo material tjetër me kusht që të tregojë se i akuzuari ka ndërhyrë ose mund të ndërhyjë me ndonjë dëshmitar në procedurë.

Versionin e redaktuar publik të kësaj parashtrese mund ta gjeni në gjuhën angleze: KËTU.

Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, kurse e përfundoi më 6 qershor.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Exit mobile version