Site icon PrishtinaPress

Kundërpërgjigja e Osmanit ndaj Macronit/ Analistët: Deklaratë e pamatur dhe absurde – kërcënim i zbrazët

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar Kosovën dhe Serbinë se mund të ketë masa të tjera në rast se të dyja shtetet nuk sillen me përgjegjësi në dialog.

Kosovës iu përmendën vizat, e që më pas nisën edhe reagimet.

Macron kundërpërgjigje mori edhe nga Presidentja Vjosa Osmani.

Ajo tha se nëse ndodh pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës, “do ta vriste një herë e përgjithmonë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ajo se çfarë tha presidentja Osmani, nga njohës të politikës po konsiderohet absurde.

Në një prononcim për Front Online, politiologu Artan Muhaxhiri thotë se është kërcënim i zbrazët i presidentes, që nuk ka ndikim te BE-ja aspak.

“Deklarata e presidentes Osmani është absurde, sepse kërcënimi me ndalim të dialogut nuk e ndikon Bashkimin Evropian, sa ka pasoja për Kosovën. Ky është një kërcënim i zbrazët i presidentes Osmani, sepse nuk ka asnjë përmbajtje realiste, pasi BE-ja shumë lehtë edhe mund ta ndalojë procesin e dialogut nëse nuk ka vullnet nga palët”, thotë ai për Front Online.

Sipas Muhaxhirit, Bashkimi Evropian mund ta pezullojë edhe liberalizimin e vizave.

“BE-ja është institucion jashtëzakonisht i fuqishëm, dhe natyrisht që mund ta ndryshojë edhe diskursin sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, pra mund ta shndërrojë sërish në një çështje politike duke u bazuar në aspektin e stabilitetit të rajonit, dhe mund ta ndryshojë vendimin”, tha ai për Front Online.

Të njëjtën po e mendon edhe politologu Arbnor Sadiku.

Ai në një prononcim për Front Online tha se nëse dy vendet nuk e çojnë përpara dialogun, do të ketë pezullim të vizave.

E për këtë, analisti Sadiku fajëson politikat që po bënë Osmani, Kurti e Gërvalla.

“Mendoj, se deklarimi i tillë nga presidentja Osmani, është pa maturi politike, pasi që Kosova nuk në pozitë t’i vejë kushte Unionit Evropian, por e kundërta, dhe me shumë gjasë nëse Kosova dhe Serbia nuk shënojnë progres në arritjen e marrëveshjes Ohrit, dhe planit franko-gjerman, do ketë sanksione të reja për Kosovën si pezullimi i liberalizimit të vizave për një kohë të pa caktuar. Dhe dëmi do jetë për qytetarët, falë politikave shkurtëpamse të tre përfaqësueseve të lart Kosovës, znj.Osmani, z.Kurti, si dhe znj.Gervalla”, u shpreh ai për Front Online.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se gjatë shtatorit do të ketë një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq.

Exit mobile version