-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Kultura jomateriale e Arbëreshëve të Italisë propozohet për në UNESCO

Këto ditë iu transmetua Komitetit Kombëtar Italian të UNESCO‑s propozimi i kandidaturës së riteve arbëreshe të pranverës, titulluar “Moti i Madh”, me kërkesën për t’u regjistruar si pasuri kulturore jomateriale e Njerëzimit.

“Në emër të Fondacionit universitar “Francesco Solano” që ka bashkërenduar këtë nismë dhe që kam nderin të drejtoj, u shpreh falënderimin tim të sinqertë të gjitha grupeve praktikuese të traditave rituale arbëreshe për bashkëpunimin që na siguruan me aq bujari gjatë kësaj kohe të kushtëzuar nga pandemia. Letrat e aderimit plot dyzet përbëjnë jo vetëm një ndihmesë të çmuar që i shtohet punës përgatitore tekniko-shkencore për hartimin e projektit, por edhe një nxitje të mëtejshme për gjithë praktikën procedurale”, thotë profesori Francesco Altimari, President i Fondacionit.

Tutje Altimari ka shkruar:

Mbi bazën e veprimtarisë së përbashkët kërkimore dhe sensibilizuese që kanë kryer gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit mbi këtë temë katedrat albanologjike të universiteteve të Kalabrisë dhe të Palermos, Fondacioni ynë ka bashkërenduar, mes vështirësive të shkaktuara nga pandemia aktuale, një veprimtari të gjatë kërkimore në terren me synimin për të identifikuar, përshkruar dhe rindërtuar rrjetin e traditave rituale që përfaqëson visarin e përbashkët kulturor të Arbërisë dhe që, paçka se i lënë në harresë nga institucionet, është ruajtur vetëm falë angazhimit të drejtpërdrejtë dhe vendosmërisë së grupeve praktikuese aktive në gjirin e komuniteteve arbëreshe.

Një falënderim të veçantë i drejtoj grupit të specialistëve të formuar nga studiues të albanologjisë, të antropologjisë, të etnomuzikologjisë dhe të historisë së kulturave që punojnë pranë universiteteve të Kalabrisë, të Palermos, të Salentos, të Venecias dhe të Milanos, përveçse nga ekspertë juristë dhe informatikanë, të cilët në frymën e vullnetarizmit të vërtetë kanë punuar pa u kursyer gjatë këtyre muajve të vështirë për të hartuar një propozim sa më funksional të kësaj kandidature. Me mua kanë bashkëpunuar: Matteo Mandalà, Nicola Scaldaferri, Monica Genesin, Eugenio Imbriani, Giuseppina Turano, Giovanni Macrì dhe Battista Sposato. Në komitetin shkencor të projektit janë përfshirë edhe specialistë të tjerë, italianë dhe shqiptarë, çka konfirmon edhe më tej vlerën e madhe shkencore që ngërthejnë veçoritë kulturore arbëreshe për rindërtimin e bazës së lashtë kulturore të përbashkët të Europës sonë.

Së bashku me gjuhën dhe letërsinë e pasur të arbëreshëve të Italisë, Vallet e Pashkëve, kremtimi i të vdekurve në traditën fetare lindore, praktikat sugjestive ceremoniale që lidhen me ritet e dasmave, por edhe këngët popullore arbëreshe qofshin laike apo fetare (sidomos kalimerat) sikurse edhe prodhimet tipike të artizanatit dhe kostumet e pasura femërore arbëreshe, prodhimet e endjes në avlëmend apo prodhimet ushqimore, qofshin ushqime rituale apo tradicionale, të gjitha këto janë disa nga shprehjet kulturore dhe rituale që bëjnë pjesë në propozimin e kandidaturës së kulturës jomateriale arbëreshe, e cila gjatë këtyre muajve të fundit është bërë objekt i vëmendjes dhe interesit të veçantë nga ana e Zv-Ministres së Pasurive dhe Veprimtarive Kulturore të Qeverisë italiane, me origjinë arbëreshe, dr. Anna Laura Orrico.

Nuk mund të mos përmend këtu mbështetjen që i dha propozimit tonë FAI Fondi për Ambientin Italian – organizmi më përfaqësues që vepron në Itali në nivel kombëtar në suazën e kulturës dhe mjedisit, çka u kurorëzua me nënshkrimin e një protokolli mirëkuptimi mes FAI dhe Fondacionit tonë për të bashkëpunuar në këtë nismë për regjistrimin e riteve, të dokeve dhe këngëve popullore të MOTIT TË MADH në listën e praktikave të frytshme për shpëtimin e trashëgimisë kulturore jomateriale, sipas konvencionit Unesco 2003.

Në kuadrin e përgjithshëm të marrëdhënieve institucionale ndërkombëtare theksojmë veçanërisht bashkëpunimin e ngushtë dhe përkrahjen e vazhdueshme që na siguroi Ministrja Elva Margariti dhe Zv Ministrja Meri Kumbe, të cilat i falënderojmë përzemërsisht.

Last but not least, kujtojmë këtu me kënaqësi të madhe se shumë shoqata dhe fondacione prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare kanë shprehur interes për propozimin tonë dhe se këto kontakte të para na bëjnë të shpresojmë për bashkëpunime edhe më të frytshme në të ardhmen. /Shqiptarja.com.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img