Site icon PrishtinaPress

Kulmet e banesave në Prishtinë të mbuluara me material kancerogjen – lesenit

Një pjesë e banesave në Prishtinë janë të mbuluara me lesenit (me përbërës të asbestit) kancerogjen. Ky material për mbulimin e kulmeve është ndaluar në më shumë se 55 vende të ndryshme të botës. Në mesin e tyre edhe në Serbi, Turqi, Gjermani e Australi. Ndërkohë, në Prishtinë askush as nuk ka diskutuar lidhur me këtë problematikë.

Në tetor të vitit të kaluar, udhëheqja e një shkolle në Pejë, kishte alarmuar Komunën, se nxënësit janë të rrezikuar me materiali kancerogjen, azbesti që u qëndron mbi kokë në çatinë e shkollës që ka 1 mijë e 800 nxënës. Shkolla “Xhmajl Kodra” ishte ndërtuar në vitin 1978 dhe prej atëherë ajo vazhdon të jetë e mbuluar me azbest.

Me material të njëjtë – kancerogjen – janë të mbuluara kulmet edhe të shtëpive e banesave tjera në mbarë Kosovë. E, sidomos në Prishtinë.

Lagje të tëra në Kryeqytet kanë kulme me lesenit (i përbërë edhe nga azbesti dhe çimentoja), mirëpo, askush deri më tash, se ka ngritur këtë problem. As nuk ka pasur ndonjë nismë për ndërrimin e materialit të kulmeve të ndërtesave që janë me azbest.

Deri më tash përdorimi i produkteve me asbest është i ndaluar në 55 vende të ndryshme të botës. Në mesin e vendeve ku janë të ndaluara produktet me asbest është edhe Serbia, Anglia, Gjermania, Zvicra, Turqia, Italia, Spanja, Franca, Beligjika, Austria, Kroacia, Arabia Saudite, Norvegjia, Sllovenia, Holanda, Hungaria, Greqia, Finlanda, Çekia, Danimarka, Australia, etj.

Ndërkohë, një banor i Prishtinës, Enver Zeneli, ka kohë që kërkon të merren masa dhe të largohet leseniti kancerogjen nga çatitë e ndërtesave, por askush s’ia ka dëgjuar kërkesën e tij.

“Asbesti kancerogjen (Leseniti) qe na rri mbi krye gjithandej ne Kosove dhe qe nuk shqeteson askend, as qeverine qendrore as ate lokale; as parlamentin, as pozite as opozite; as media as shoqeri civile. Prandaj kanceri na u ka ba si flame”, ka shkruar Enver Zeneli, në reagimin e fundit në FB dhe ka publikuar edhe një foto me të cilën tregon gjendjen e kulmeve të banesave në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Sidoqoftë, radiologu Ilir Kurtishi ka thënë për Gazetën Express se përdorimi i lesenitit në objekte banimi është i rrezikshëm, megjithëse, ende nuk ka ndonjë vendim prej OBSH’së për mospërdorimin e tij.

“Është i rrezikshëm, mirëpo, OBSH ende nuk e ka vënë në listën e shkaktarëve të kancerit”, ka thënë Kurtishi për Express.

Ka treguar se deri më tash janë bërë disa studime që kanë konstatuar se është i dëmshëm dhe mund të shkaktojë edhe sëmundje përdorimi i këtij materiali për mbulimin e shtëpive.

Sipas webfaqes asbestos.com, asbesti është një mineral natyral që dikur lavdërohej për veçoritë e tij, i njohur për rezistencë ndaj nxehtësisë, forcës elastike dhe vetive izoluese, dhe i përdorur për gjithçka prej jelekëve anti-zjarr e deri tek ndërtimet në shtëpi dhe banesa. Prodhohet në fabrikë dhe përzihet me çimento.

Vetitë e tij ishin aq të dëshiruara sa që ushtria amerikane e mandatoi përdorimin e saj në çdo degë të shërbimit. Asbesti është një përzierje e përsosur për t’i bërë gjërat më mirë – përveç se është shumë helmues, gjithashtu.

Sot asbesti njihet botërisht se shkakton kancerin ‘Mesothelioma’ (kancerin e indeve mesotheliale, që shkaktohet sidomos nga ekspozimi ndaj asbestit) dhe është i ndaluar në më shumë se 50 vende dhe përdorimi i tij është duke u ndaluar në mënyrë dramatike edhe në vende të tjera, shkruan Gazeta Express.

Ekzistojnë gjashtë lloje të asbestit mineral, sipas Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit (EPA). Edhe pse të gjitha format komerciale të asbestit janë kancerogjen, ka disa dallime në përbërjen e tyre kimike.

Më shumë se 75 lloje të ndryshme të punëve në Amerikë i kanë ekspozuar punëtorët ndaj asbestit, thuhet sipas Institutit Kombëtar për Shëndetin dhe Sigurinë.

Në të njëjtën kohë, rreth 30% e të gjitha rasteve me mesothelioma janë veteranë ushtarak, një tregues se ku është bëri dëmi më i keq. Hidraulikët dhe elektricistët ishin më të rrezikuarit ndaj sëmundjeve të lidhura me asbest, thuhet sipas këtij instituti.

Shtëpitë dhe banesat e ndërtuara para vitit 1980 janë të mbushura me asbest. Asbesti mund të gjendet në pllaka të kateve, çati, furra, hidraulikë, pajisje shtëpiake dhe në dritare, duke i lënë shumicën e njerëzve të pambrojtur. (https://www.asbestos.com/asbestos/)

Sipas web faqes asbestosnation.org, asbesti vret prej 12-15 mijë njerëz në vit në SHBA.

Exit mobile version