-4.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Kuleta e shtetit e dërgon Kurtin në të pestën komunë

Kryeministri Albin Kurti, sot e vazhdon prezantimin e projektbuxhetit për vitin 2023 nëpër komuna, ku rreth orë 15:00 do të jetë në Gjakovë.

Kurti, fillimisht prezantoi kuletën e shtetit në Prizren, ku vëmendjen më të madhe e mori ndërpreja e rrymës gjatë prezantimit.

Në Mitrovicë, Kurti tha se buxheti i planifikuar për Komunën e Mitrovicës, është mbi 25 milionë euro.

Atje Kurti tha se me këtë buxhet parashihet rregullimi i rrugëve të Shalës së Bajgorës, dhe se një milion euro do të ndahen për rindërtimin e shtëpive në pjesën veriore të qytetit.

Më pas, shefi i ekzekutivit sërish bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Muratin dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, prezantuan para qytetarëve të Pejës buxhetin për vitin e ardhshëm.

Në Pejë, Kurti tha se me buxhetin e vitit 2023, do ta vazhdohet mbështetja për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë e sigurinë.

Sipas numrit një të Qeverisë,  në kuadër të mjeteve të destinuara për vitin që vjen, parashihet shtimi i vlerave për investime kapitale, mallra dhe shërbime, që arrijnë vlerën 1.3 miliard euro dhe se kjo do të kontribuojë edhe në shtimin e aktivitetit biznesor dhe rritjen e zhvillimit ekonomik.

Për Komunën e Pejës, 33 milionë euro parashihet të ndahen nga buxheti.

Përveç 6.6 milionë eurove që janë planifikuar për projekte infrastrukturore në komunën e Pejës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka planifikuar 1.55 milion euro për projekte në këtë komunë, që do t’i shërbejnë sportit dhe rinisë. Gjithashtu janë planifikuar edhe mjetet për finalizimin e Qendrës Nacionale të Xhudos.

Në Prishtinë, Kurti, Murati dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, prezantuan para qytetarëve disa nga projektet dhe nismat për vitin e ardhshëm, që kanë për qëllim rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin.

Për Komunën e Prishtinës, buxheti i planifikuar për vitin 2023 është mbi 109 milionë euro.

Kryeministri veçoi disa nga projektet më me interes për qytetarët e kësaj komune që parashihen me buxhetin për vitin e ardhshëm në arsim, shëndetësi, siguri, kulturë, sport, rini e trashëgimi kulturore.

Prezantimi i buxhetit për vitin 2023 ka filluar nga dita e martë, në Komunën e Prizrenit, duke vazhduar dje në Mitrovicë, e do të prezantohet edhe në komuna të tjera, ku qytetarët do të kenë mundësi të bashkëbisedojnë me Kryeministrin dhe ministrat, dhe të japin mendimet e tyre lidhur me buxhetin e vitit 2023., thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

Buxheti që i dedikohet qeverisjes lokale dhe komunave planifikohet të rritet për rreth 100 milionë euro, nga 560 që ishte në vitin 2022 në 660 milionë euro për vitin 2023.

Buxheti për komunat parashihet të jetë 100 milionë euro më i lartë sesa për këtë vit.

Kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm është më i larti në historinë e Republikës, në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img