1.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Kujt po i pengon poligoni i FSK-së në Mitrovicë?

Krijimi i një poligoni të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Mitrovicë të Jugut, ka ngjallur reagime në Serbi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kritikuar paralajmërimet për formimin e siç është shprehur ai ‘bazës së FSK-së’ në Cërnushë të Mitrovicës së Jugut.

Duke deklaruar se “kjo nuk është përpjekja as e parë, as e fundit e palës shqiptare për të treguar se është ajo që mund të bëjë çfarë të dojë”, Vuçiq tha se beson se do të ruhet paqja dhe stabiliteti në Kosovë.

Nëse del ndonjë rrezik apo kërcënim më serioz për popullin serb…Nuk kam nevojë të vazhdoj. E dinë serbët e ‘Kosovës e Metohisë’”, tha Vuçiq të enjten, teksa vizitoi punimet në një autostradë në Serbi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, komuna e të cilit më 26 mars (2021), i ndau rreth 200 hektarë për ndërtimin e poligonit në kodrën e Cërnushës, tha se ky poligon nuk cenon sigurinë e askujt.Baza ushtarake e FSK-së që do të ndërtohet në kodrën e Cërnushës nuk është provokim për askënd e as nuk do ta cenoj sigurinë e banorëve serbë të Kosovës, të cilët i mbron dhe do t’i mbrojë shteti i Kosovës me mekanizmat e tij sikurse gjithë banorët e Republikës tonë, tha Bahtiri.

Bahtiri tha se nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, e sidomos në punët komunale të Mitrovicës.

Zyrtarë të NATO-së kanë thënë në një përgjigje me shkrim se “NATO e mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mandatin aktual të saj, përkatësisht atë të një force të mbrojtjes civile”.

“Ne vazhdojmë të jemi plotësisht të përkushtuar për sigurinë në Kosovë dhe për stabilitetin në rajon. KFOR-i vazhdon aktivitetet e përditshme që të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurojë lëvizjen e lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e NATO-së dërguar Radios Evropa e Lirë.

Më tej thuhet se KFOR-i ka kontakte të rregullta me Serbinë dhe organizata ndërkombëtare në Kosovë, në veçanti me Bashkimin Evropian.

“Prishtina dhe Beogradi duhet të sigurojnë që të mos ketë tensione në rajon dhe të përmbahen nga deklaratat ose veprimet, të cilat mund të çojnë në përshkallëzim dhe të fokusohen në përparimin me reforma dhe dialog”, thuhet në këtë përgjigje.

Në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk kanë dhënë komente sa i takon reagimit të presidentit të Serbisë.

Plator Avdiu nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se poligoni i FSK-së në Cërnushë, do të thotë siguri më e madhe për të gjithë banorët e Mitrovicës.

“Kjo do të ndikojë edhe në rritjen e sigurisë më të madhe për vetë qytetarët jo vetëm të Mitrovicës, por edhe të gjitha komunave veriore të Kosovës, por edhe në perceptim më të mirë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komunitetet pakicë në Kosovë”, thotë Avdiu.

Poligoni me hapësirë prej 191 hektarësh

Sa i përket anës teorike, ushtarët, nënoficerët dhe oficerët e FSK-së, kanë hapësirë të mjaftueshme për të mësuar, mirëpo tash e sa vjet ka munguar hapësira në teren për ushtrime.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, thotë se Ushtrisë së Kosovës i nevojitet një hapësirë e madhe për të dalë në terren për ushtrime, për të ngritur kampe të ndryshme.

“Unë pres që edhe komunat e tjera, por edhe Qeveria e Kosovës, të ndajnë edhe hapësira më të mëdha, sepse ushtria ka nevojë që të stërvitet edhe me armatime edhe më të forta dhe më të mëdha që do t’i ketë sipas programit që ka të zhvillimit të saj 10 vjeçar, e ato janë për topa, minahedhës, armët anti-blindë, armët kundër ajrore”, thotë Kastrati.

Deri më tani FSK-ja ka kryer ushtrime të mëdha në shtete fqinje.

Shefi i Zyrës për Informim në Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës, Ibrahim Shala, tha për Radio Evropa e Lirë, se ky poligon është shumë i rëndësishëm për FSK-në.

“FSK-ja këtë hapësirë, këtë poligon e ka përdorur shumë vite më herët. Risia është që tani i ka kaluar në pronësi të FSK-së dhe FSK-ja edhe më tej do të vazhdojë të ushtrojë aktivitetet e veta në këtë poligon”, thotë Shala.

Plator Avdiu thotë se rritja e numrit të pjesëtarëve të FSK-së, rrit edhe nevojat logjistike dhe operacionale.

“Është përmendur që aty të ndërtohet kazerma më e madhe ushtarake e FSK-së. Sigurisht që ndoshta nuk do të ndodh menjëherë për shkak se kjo merr kohë dhe ka kosto financiare”, thotë Avdiu.

Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura.

Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës të zgjasë dhjetë vjet.

Aktualisht, FSK-ja ka 2,747 ushtarë aktivë, ndërkaq synimi është që kjo forcë të ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe një forcë rezervë prej 3 mijë vetash. /rel/

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img