Pacientët kardiovaskularë, veçanërisht ata që kanë pësuar kohët e fundit një sulm në zemër, duhet të zgjedhin ku të pushojnë me shumë kujdes
Nëse planifikoni të shkoni në male në gjashtë muajt e parë deri në një vit pas një sulmi në zemër, implantimit të stentës ose bajpasit, është e nevojshme të kërkoni këshillën e një kardiologu para udhëtimit:
– Temperatura e ajrit në zonat malore është mesatarisht më e ulët, prandaj tingëllon logjike që një qëndrim në mal do të ishte i dobishëm për pacientët kardiovaskularë gjatë muajve të verës, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, ekziston një frikë se qëndrimi në lartësi të mëdha për shkak të presionit të ulët të ajrit dhe reagimit me pasoja të organizmit ndaj pranisë së zvogëluar të oksigjenit, paraqet një barrë për sistemin kardiovaskular.
Në literaturën mjekësore, lartësitë mbi 2.500 metra konsiderohen të larta për pacientët kardiovaskularë, ndërsa lartësitë prej 1.500 deri 2.500 konsiderohen të përshtatshme.
Gjatë pushimeve në zonat malore, pacientët kardiakë këshillohen që t’i përmbahen terapisë kronike, përfshirë medikamentet e presionit të gjakut, sepse në zona më të larta, disa pacientë mund të kenë një rritje të presionit të gjakut, kështu që ata këshillohen veçanërisht të shmangin përpjekjet më të mëdha fizike.
– Duke marrë parasysh që rregullimi i temperaturës së trupit bazohet kryesisht në funksionalitetin e sistemit kardiovaskular, është e lehtë të kuptohet se te njerëzit me këtë sëmundje, temperaturat e larta janë një barrë shtesë dhe një përpjekje e jashtëzakonshme.
Kjo është veçanërisht e theksuar tek të moshuarit, sepse aftësia e enëve të gjakut për t’u zgjeruar, por edhe qarkullimi i gjakut në lëkurë dhe lirimi i nxehtësisë nga trupi, zvogëlohet me moshën.