Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s i dha fund pushtimit të Serbisë, që vetëm në luftën e fundit shkaktoi mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.
Kosova është në prag të festimit të përvjetorit të 14-të të shpalljes së pavarësisë.
Ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në RTV Dukagjini ka rrëfyer disa nga prapaskenat e atyre ditëve.
Ai thotë se kishte një dakordim me partnerët ndërkombëtarë që data të mbahej sekrete.
“Data nuk ishte e rastësishme. Ajo është ditur pothuajse dy muaj para. Megjithatë ne kemi qenë të kujdesshëm që këtë sekret publik të mos e nxjerrim. Kishim informacione që komuniteti serb do të zhvendosej në formë të refugjatëve e që do të krijohej një imazh jo i mirë për Kosovën. Kishte edhe shqetësime në aspektin e sigurisë që mund të krijonin serbët e që do të ishte një imazh jo i mirë në Ditën e Pavarësisë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Kuçi thotë se edhe dita e diel nuk ishte e rastësishme, por sipas tij opsion ishte edhe e hëna paradite.
Ish-zëvendëskryeministri thotë se kishte një koordinim të shkëlqyer mes krerëve të institucioneve deri te shpallja e pavarësisë pavarësisht se ishin nga subjekte të ndryshme politike.