Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova do të anëtarësohet në afat rekord në Këshillin e Evropës.
“Unë besoj shumë që Kosova do të jetë ndër vendet që në kohë rekord ka hyrë në Këshillin e Evropës. Një çështje e cila nuk varet, gjithmonë ka vetëm një mundësi në vit, vendimi rreth anëtarësimit mund të merret vetëm një herë në vit” – tha ajo.
Kryediplomatja Gërvalla ka përmendur edhe kohën që i është dashur Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës për t’u anëtarësuar.
“Shteti që e ka kry më së shpejti është Mali i Zi për shkak që është anëtarësuar menjëherë mbas referendumit, nën një vit, 8 muaj apo 10, shteti që ka zgjatur më së shumti është Bosnja me 7 vite. Kosova do të jetë shumë më afër Malit të Zi, sesa që do të jetë me Bosnje e Hercegovinën sepse të gjithë indikatorët janë të tillë” – tha ajo në “Kallxo Përnime”.
Sipas saj, Kosova ka një përkrahje të jashtëzakonshme duke thënë se “duket sikur votat e nevojshme i kemi, nevojitet vetëm edhe pak punë rreth plotësimit të formaliteteve”.
Kosova ka aplikuar më 12 maj për anëtarësim në Këshillin e Evropës./Prishtinapress/