Çfarë e shkakton dhembjen në pankreas?
Dhembjen në pjesën e pankreasit shpesh mund ta ngatërrojmë me dhembjen në shpretkë apo me dhembjen e një organi tjetër.
Sëmundjet e pankreasit është e vështirë të zbulohen për shkak se ky organ është i paarritshëm. Mjekët, para së gjithash, aplikojnë kontroll fizik, por kontrolli i këtillë nuk jep imazh të sigurt pikërisht për shkak të vendndodhjes së këtij organi.
Analiza e pasqyrës së gjakut është gjithashtu e rëndësishme për diagnostikimin e çrregullimeve të mundshme, por gjetjet e saj mund të jenë gjithashtu mashtruese.
Cilat sëmundje sulmojnë pankreasin, si dhemb dhe cilat janë simptomat e tjera?
Inflamacioni akut i pankreasit
Inflamacioni akut i pankreasit është një atak i papritur të cilin e karakterizon dhembje e mprehtë në pjesën e sipërme të stomakut. Është shumë e fortë dhe zgjat disa ditë. Simptomat e tjera të pankreatitit akut janë krupa, të vjellat, diarreja, fryrja dhe temperatura e lartë.
Ndër shkaqet më të zakonshme të inflamacionit akut të pankreasit janë gurët në tëmth, konsumimi kronik i alkoolit dhe nivelet e larta të yndyrës në gjak. Arsyet mund të jenë të trashëguara dhe përveç disa lëndimeve dhe infeksioneve, mund të dëmtohet edhe pankreasi për shkak të çrregullimeve të elektroliteve dhe hormoneve.
Inflamacioni kronik i pankreasit
Kjo sëmundje është progresive, dhe avancimi i saj e shkatërron pankreasin.
Është më e zakonshme tek meshkujt sesa tek femrat, më së shpeshti shfaqet mes moshës 30 dhe 40 vjeç.
Simptomat janë shumë të ngjashme me ato të pankreatitit akut, ankesat më të shpeshta janë dhimbjet në pjesën e sipërme të stomakut dhe diarreja. Ndërsa sëmundja përparon, pacientët humbin peshë dhe bëhen të kequshqyer. Në një fazë të avancuar, pacienti mund të zhvillojë edhe diabet mellitus.
Shkaku më i zakonshëm është konsumimi i rregullt i alkoolit. Çrregullimet trashëgimore, si dhe fibroza cistike, janë gjithashtu të mundshme. Në një numër të konsiderueshëm pacientësh, shkaku i saktë nuk përcaktohet kurrë.
Pankreatiti i trashëguar
Sulmet e vazhdueshme të inflamacionit akut të pankreasit, të cilat ndodhin herët – para moshës 30 vjeçare, më së shpeshti janë rezultat i anomalive trashëgimore të pankreasit ose organeve të tjera të tretjes. Këta pacientë shpesh marrin pankreatit kronik dhe si rezultat shfaqet fibroza cistike.
Simptomat janë dhimbje kronike, diarre, kequshqyerje dhe pacientët vuajnë edhe nga diabeti.
Kanceri i pankreasit
Kanceri i pankreasit shpesh quhet “vrasësi i heshtur”, sepse në fillim nuk shkakton asnjë problem. Gjëja e parë që vihet re zakonisht është zverdhja e lëkurës dhe më pas nuk ka simptoma të tjera. Kjo është arsyeja pse zbulimi i hershëm është përjashtim dhe jo rregull.
Dhimbja e pankreasit ndihet “nën brinjë”, në mes ose pak më shumë në anën e majtë. Në fillim është e lehtë dhe përkeqësohet pas ngrënies dhe pirjes. Mund të jetë e mprehtë, por edhe të ndryshojë në intensitet dhe të zgjasë disa ditë.
Zakonisht dhimbja përkeqësohet kur pacienti shtrihet në shpinë, kështu që ndihet më mirë kur është ulur, pak i përkulur përpara.
Shpesh kjo dhimbje përhapet drejt shpinës, është e mprehtë dhe nuk ndryshon gjatë lëvizjes. Nëse shkaku i dhimbjes së pankreasit është një gur, atëherë ai ndihet si një therje. Nëse është rezultat i konsumimit të alkoolit, dhimbja është më pak e mprehtë dhe më e vështirë për t’u lokalizuar.
Mjekët paralajmërojnë se dhimbja në stomak nuk duhet t’i atribuohet inflamacionit të pankreasit pa një diagnozë serioze, sepse diagnoza të tjera të shumta janë të mundshme.