Site icon PrishtinaPress

KTV: Pacolli bëri marrëveshje të fshehtë me Listën Srpska, bllokoi ratifikimin e demarkacionit

Demarkacioni në Kuvend, me votat e Listës Serbe, do të votohet javën e ardhshme. KTV-ja merr vesh se kërkesa nga Beogradi ka qenë që votimi të ndodhë pas zgjedhjeve për kryetar të Beogradit. Për këtë marrëveshje është kujdesur zv/kryeministri Behgjet Pacolli.

Zgjedhjet e së dielës në Beograd e kanë shtyrë edhe për disa ditë hedhjen në votim të demarkacionit në Prishtinë.

Që nga fundjava, ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, e ka shprehur bindjen se të mërkurën nuk do të ketë votim, sikurse edhe ndodhi. E për çka Metro kishte raportuar, duke sqaruar edhe qëndrimin e ‘çuditshëm’ të Pacollit.

KTV-ja merr vesh se vetë Pacolli ka folur me zyrtarë të kabinetit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të siguruar votat e Listës Serbe.

Por, kushti nga Serbia ka qenë që të pritet përfundimi i zgjedhjeve për kryetar të Beogradit, që mbahen këtë të diel.

Për këtë kishte raportuar Gazeta Metro e para, duke sqaruar se komunikimi i Behgjet Pacollit me Serbinë kishte bërë që Demarkacioni të shtyhet.

Partia Progresiste e Serbisë e Vuçiqit pritet t’i fitojë zgjedhjet, por nuk do ta ketë aspak të lehtë për shkak të bashkimit të opozitës rreth një kandidati.

Pikërisht për këtë, Vuçiq nuk ka dashur të krijojë imazhin në Serbi se Lista e tij Serbe po i ndihmon shqiptarët për të kaluar pengesën e fundit për liberalizimin.

Kjo vërtetohet edhe me ashpërsimin e tonit të opozitës në Beograd ndaj partisë së presidentit Vuçiq.

Kryetari i Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, ka thënë se Vuçiqi e ka betonuar premtimin e tij se do ta lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, në takimin në Berlin me kancelaren Angela Merkel.

Prandaj, premtimi është që Lista Serbe ta votojë demarkacionin në rastin e parë që vjen në Kuvend, gjatë javës së ardhshme dhe pas përfundimit të zgjedhjeve në Beograd.

Është e paqartë nëse Lista Serbe ka marrë garanci nga pala shqiptare për krijimin e shpejtë të Asociacionit të Komunave Serbe, që është kërkesa e saj kryesore.

Serbe, e udhëhequr nga Goran Rakiq, ka thënë se demarkacioni nuk është askund në listën e tyre të prioriteteve.

 

Exit mobile version