Site icon PrishtinaPress

Kthehet në rigjykim rasti i kosovarit që kishte tentuar ta mbyste ish-bashkëshorten në varrezat e Bernës

Në Gjykatën e Lartë të Bernës po shqyrtohet çështja e një personi për të cilin mësohet se ka tentuar të mbyste ish-bashkëshorten, transmeton albinfo.ch. Por sipas versionit të tij, ai thjesht donte të trembte gruan.

Së pari premtimi i tij ishte se ai dëshiron t’ia dorëzonte asaj djalin e tyre të përbashkët në vendin për të cilin ishin marrë vesh. Pastaj ata takohen në një cep të errët të varrezave Brügg BE. Por, në vend të djalit, kosovari kishte diçka tjetër me vete: dy rripa të lidhur dhe një thikë.

Për gjykatën rajonale Bernese Jura-Seeland (që ishte shkalla e parë në këtë rast), çështja ishte e qartë: burri donte të vriste ish-gruan e tij atë natë janari të vitit 2021, shkruan gazeta Berner Zeitung. Për pasojë ai qe dënuar me shtatë vjet e gjysmë burg për tentativë vrasjeje.

Por i akuzuari e mohon këtë dhe ka bërë ankesë kundër aktgjykimit. Tani Gjykata e Lartë (kantonale) e Bernës duhet t`i përgjigjet pyetjes: A është ai fajtor apo jo?

Në argumentin e tij, mbrojtësi publik i kosovarit thotë se incidenti kishte ndodhur brenda dhjetë sekondave, transmeton albinfo.ch. Përveç kësaj, paditësja tha se ajo ishte ngufatur tashmë, por kishte qenë në gjendje të çlirohej me forcat e saj. Kjo tingëllon e pabesueshme, sipas mbrojtësit: “Nëse unë kam një rrip në qafë dhe dikush e tërheq atë nga pas, nuk kam shans kurrë të lirohem nga ai”. Prandaj, besueshmëria e paditësit është e dyshimtë, thotë ai.

Por nuk mendon kështu avokati i ish-bashkëshortes: “Ajo nuk e ka bërë historinë më të frikshme se sa në fakt ishte”. Edhe pse gruaja do të kishte pasur “shumë mundësi” për të “ekzagjeruar”. Për avokatin është e qartë: “Është bërë tentativë për ta vrarë”.

Prokurori dhe avokati i paditësit kërkojnë vendim fajësie. Për më tepër, i pandehuri në këtë proces gjyqësor duhet të dënohet për tentativë vrasje, jo vetëm për vrasje të shkallës së parë të mbetur në tentativë, si në seancën e shkallës së parë.

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i qëndron versionit të klientit të tij, përcjell albinfo.ch. Ai kurrë nuk e kishte ngufatur ish-gruan e tij dhe kurrë nuk donte ta vriste, thjesht, donte ta frikësonte.

Vendimi i Gjykatës së Lartë të Bernës do të shpallet të martën në mbrëmje.

Exit mobile version