Faza e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve nis sonte me një super ndeshje në “Teatrin e Ëndrrave”, ku Manchester Unitedi do ta presë një skuadër të Paris Saint-Germainit pa Neymarin dhe Edinson Cavanin.
Në dhjetor, kur u hodh shorti për këtë ndeshje, kjo ndeshje nuk pritej të ishte aspak e vështirë për PSG-në pasi që Manchester Unitedi ishte në formë shumë të keqe me Jose Mourinhon, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga atëherë. “Djajtë e kuq” e shkarkuan Mourinhon dhe nuk e kanë humbur asnjë ndeshje që nga emërimi i Ole Gunnar Solskjaerit në pozitën e trajnerit, duke i fituar dhjetë nga gjithsej 11 ndeshje e zhvilluara.
Anglezët tani kanë më shumë gjasa për ta mposhtur kampionin francez, veçanërisht për shkak të lëndimeve që ka pësuar skuadra e Thomas Tuchelit.
Mungesa e Neymarit e kishte bërë punën më të vështirë për trajnerin Tuchel, e situata për francezët u përkeqësua me lëndimin edhe të Cavanit. PSG-ja do të duhet të mbështetet vetëm në Kylian Mbappe për fazën e sulmit, pasi që nuk ka asnjë zëvendësues të natyrshëm për pozitën e qendërsulmuesit.
Kjo do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy skuadrat, mirëpo gjithçka do të vendosët më 6 mars, në Parc des Princes, ku do të zhvillohet ndeshja kthyese mes këtyre dy klubeve.
Sonte do të zhvillohet edhe një ndeshje tjetër në kuadër të fazës së 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve. Roma do ta presë në shtëpi Porton. Këto dy klube janë takuar vetëm dy herë më parë, në kuadër të kualifikimeve për Championsin në vitin 2016. Ndeshja e parë kishte përfunduar baras, ndërsa në të dytën kishte triumfuar Porto.