Site icon PrishtinaPress

Kthehen shtetasit maqedonas që ndodheshin afër Manastirit në Banjskë

Shtatë shtetasit maqedonas që gjendeshin në një hotel afër Manastirit në Banjskë, ku ndodhi sulmi ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të hënën nën shoqërimin e policisë janë kthyer në Maqedoninë e Veriut.

Njoftimi është bërë i ditur nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sipas të cilit shtetasit maqedonas janë lënë të lirë pas intervistimit dhe analizave të tjera nga Policia e Kosovës.

“Pas intervistimit dhe analizave të zakonshme nga Policia e Republikës së Kosovës, sot [e hënë] në mëngjes qytetarët tanë janë nisur të sigurt për në shtëpi, të shoqëruar nga Policia e Kosovës. Rrethanat, në të cilat u gjendën, ishin komplekse, duke qenë se ata ishin të akomoduar në një hotel, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi me armë ndaj policisë”, ka njoftuar Osmani në rrjetin social Facebook.

Osmani ka thënë se lidhur me këtë rast ishte në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës, të cilat “garantuan sigurinë e qytetarëve tanë”.

Ai nuk ka dhënë detaje tjera mbi qëndrimin e shtetasve të Maqedonisë së Veriut në afërsi të Manastirit në Banjskë.

Exit mobile version