Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM) ka njoftuar se ka përfunduar me sukses Provimi i Maturës 2023, të cilit iu nënshtruan mbi 21 mijë maturantë. Provimi i Maturës këtë vit është organizuar në 177 Qendra të Testimit, ku maturantët kanë qenë të sistemuar në 1600 klasa.
Sipas një njoftimi nga MASHTI, këtë vit, përveç administruesve në këtë proces kanë qenë të angazhuar edhe mbikëqyrës nga Parlamenti Studentor i UP-së.
“KSHM falënderon të gjithë akterët e përfshirë në procesin e testimit për kontributin e tyre në mbarëvajtje të procesit.
KShM njofton se, Provimi i Maturës ka filluar me kohë, përveç në rastet ku ka pasur vonesa të administruesve dhe vonesa të nxënësve”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, KSHM bën të ditur se, sipas raporteve të administratorëve në disa Qendra ka pasur largim të nxënësve nga provimi për shkak të përdorimit të telefonave.
“Sa i përket të dhënave të tjera rreth administrimit, KShM do të raportojë pas përpunimit të të gjitha raporteve nga të gjitha Qendrat e Testimit në nivel vendi, ndërsa rezultatet e testit do të publikohen më 03.07.2023”, thuhet ndër të tjera në njoftim të MASHT-it.