Procesi për shpalljen e zgjedhjeve të reja mund të marrë kohë deri në 100 ditë, sipas drejtorit ekzekutiv të KDI’së, Ismet Kryeziu. Ai i tha Gazetës Express se, përveç që e tejkalon ligjin, udhëzimi administrativ i hartuar nga MAPL nuk e zgjidh situatën në Veri por “e komplikon edhe më tutje”. Ai përmend edhe mundësinë që qytetarët serbë në Veri të refuzojnë ta shfrytëzojnë të drejtën për peticion. Prandaj, për të, dorëheqja e kryetarëve aktualë, mbetet zgjidhja më efikase.
Drejtori Ekzekutiv i KDI’së, Ismet Kryeziu, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se udhëzimi administrativ e tejkalon ligjin për vetëqeverisje lokale dhe organizmin e zgjedhjeve. Madje sipas tij, ky udhëzim i hartuar nga MAPL e komplikon edhe më tutje situatën dhe krijon mundësi që të ankimohet nga subjektet politike dhe të zvarritet si proces.
“Udhëzimi administrativ lidhur me iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave tejkalon ligjin për vetëqeverisjen lokale dhe organizimin e zgjedhjeve. Ky tejkalim i ligjit nuk është në shërbim të zgjidhjeve të problemeve në veri, përkundrazi e komplikon dhe më tutje situatën dhe krijon mundësi që ky udhëzim të procedohet për ankimim nga subjektet politike dhe të zvarritet ky proces deri në një afat kohorë të nevojshëm për interpretim kushtetues”, u shpreh ai.
Kryeziu ka bërë të ditur se në secilin opsion për shkarkimin e kryetarëve përmes peticionit kërkohet të bëhen ndryshime të ligjit për vetëqeverisjen lokale. Ai shton se pa ndryshime ligjore nuk mundet që iniciativa qytetare ose peticioni të organizohet përmes udhëzimit administrativ.
“Në secilin opsion për shkarkimin e kryetarëve përmes peticionit e cila është e përcaktuar me dispozitën e nenit 72, paraprakisht kërkohet të bëhen ndryshime të ligjit për vetëqeverisjen lokale. Pa këto ndryshime ligjore nuk mundet që iniciativa qytetare ose peticioni të organizohet përmes udhëzimit administrativ i cili zvogëlon apo tejkalon këto të drejta të cilat janë kategori kushtetuese”, tha Kryeziu për Express.
Ai ka thënë se afati kohor dhe procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve nuk mund të diktohen nga krerët shtetërorë, por nga vullneti i qytetarëve në Veri për t’i ndjekur këto procedura. Kryeziu thotë se nëse palët pajtohen, procesi për shpalljen e zgjedhjeve mund të marrë kohë deri në 100 ditë.
Mirëpo nëse serbët refuzojnë ta shfrytëzojnë të drejtën e peticionit, Kryeziu thotë se askush s’mund t’i shpallë zgjedhjet e reja.
“Afati kohor dhe procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve nuk mund të diktohen nga krerët e institucioneve shtetërore, por nga vullneti i qytetarëve të veriut për t’i ndjekur këto procedura dhe hapa të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës. Por, nëse palët pajtohen që zgjedhjet të shkojnë përmes këtij udhëzimi administrativ, atëherë si proces mund të marrë deri në 100 ditë. E nëse qytetarët atje refuzojnë t’i ndjekin këto procedura, as qeveria e askush s’mund të shpallë dhe organizojë zgjedhje të reja”, deklaroi ai.
Drejtori Ekzekutiv i KDI’së e përsërit atë që dorëheqja e kryetarëve aktualë në Veri, është zgjidhja më efikase për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja në Veri.
“Përndryshe ky proces veçmas peticionit dhe bazës ligjore të nevojshme, përsëri do të vazhdojë të ketë nevojën e një marrëveshje politike përmes Brukselit. KDI i konsideron dorëheqjet e kryetarëve aktualë të komunave veriore, si zgjidhjen më efikase e jo shkarkimin e kryetarëve dhe organizimin e zgjedhjeve në kundërshtim me kushtetutën”, tha ai për Express.
Lidhur me këtë çështje, misioni i OSBE’së në Kosovë i tha sot Gazetës Express se kanë marrë pjesë në dy takime të organizuara nga MAPL.
Nga OSBE thanë se kanë dhënë komente gjithëpërfshirëse, “shumica e të cilave janë të pasqyruara në Udhëzimin Administrativ”.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë, së bashku me misionet e tjera ndërkombëtare, ka marrë pjesë në dy takime të organizuara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në lidhje me këtë temë. Misioni ka dhënë komente gjithëpërfshirëse, shumica e të cilave janë të pasqyruara në Udhëzimin Administrativ”, thuhet në përgjigjen e OSBE’së për Express.
Shefi i OSBE’së në Prishtinë Michael Davenport dje ka takuar Kryeministrin Kurti dhe çështja e udhëzimit administrativ dhe zgjedhjet në Veri kanë qenë në agjendën e diskutimit.
OSBE nuk është përgjigjur nëse do t’i ndihmojë KQZ’së në monitorimin dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Kritika ndaj këtij udhëzimi administrativ ka pasur edhe nga IKD dhe ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Hasani, kur është pyetur se a është ky udhëzim në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ka thënë “jo”.
“Jo, sepse caktimi i të drejtave dhe detyrimeve, dhe mënyra e realizimit të tyre, duhet fillimisht të përcaktohet me ligj. Kushtetuta kërkon ligj. Këtu bëhet fjalë për demokracinë e drejtpërdrejtë, që është kategori kushtetuese, dhe mënyrat e realizimit të saj përcaktohen me ligj, zakonisht quhet Ligj për iniciativën qytetare, Ligj për referendum, ose Ligj për referendum dhe iniciativë qytetare. Kushtetuta tregon se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë subjekt i referendumit. Pastaj, ligjvënësi është i lirë që t’i përcaktojë këto dy çështje. Por, këto dy çështje nuk i ka rregulluar Kuvendi i Kosovës, dhe për pasojë ky udhëzim e ka uzurpuar një autorizim ligjor të Kuvendit, dhe e ka normuar një çështje që është dashur të normohet me Ligjin për iniciativën qytetare”, tha thënë Hasani në një intervistë për REL.
Ndërsa dje, drejtori i IKD’së, Ehat Miftaraj, në një prononcim për Gazetën Express tha se në momentin që hyn në fuqi ky udhëzim administrativ mund të iniciohet peticioni prej 20 për qind të listave votuese në çdo komunë e pastaj të vijohet me procedurat tjera.
Ai deklaroi se udhëzimi administrativ nuk është mënyra e duhur për rrëzimin e kryetarëve të komunave, pasi sipas tij, krijon precedent për shkarkimin e kryetarëve që nuk kanë kryer asnjë shkelje.
“IKD e ka potencuar vazhdimisht që kjo nuk është zgjidhja dhe mënyra e duhur për të larguar katër kryetarët e komunave sepse ndërton një precedent të rrezikshëm për të shkarkuar kryetarë përkundër se të njëjtit nuk kanë kryer asnjë shkelje apo nuk është cenuar integriteti i tyre personal apo profesional, sikurse nënkupton shpenzime të panevojshme të buxhetit kur dihet që qëllimi apo kërkesa e ndërkombëtarëve është që të mbahen zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës. Nëse do të kishte vullnet politik, atëherë kryetarët e këtyre komunave do të dorëhiqeshin dhe për t’i dhënë hapësirë zgjedhjeve të reja”, ka deklaruar Miftaraj.
Mirëpo, ai shprehet se udhëzimi administrativ nuk e plotëson kornizën ligjore duke thënë se në bazë të një analize paraprake IKD vlerëson që udhëzimi nuk është në harmoni me ligjin dhe kushtetutën.
Nga Bashkimi Evropian ishin deklaruar pro dorëheqjeve të kryetarëve aktualë, mirëpo kryeministri Kurti disa herë kishte thënë që nuk mund ta kërkojë dorëheqjen e tyre. Peticionin për herë të parë e përmendi presidentja Osmani, ndërsa më pas u përkrah nga Kurti dhe Konfjuca. /GazetaExpress/