Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i është kundërpërgjigjur zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili ka thënë se nuk i përket Qeverisë e as kryeministrit Kurti që të vendos se kur duhet të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Së pari ne të gjithë e dimë që Kosova nuk merr vendime për Bashkimin Evropian. Askush në Kosovë nuk po pretendon të kundërtën. Kryeministri Kurti në të gjitha takimet e tij me liderë evropianë dhe vendimmarrës në Bashkimin Evropian me të drejt kërkon largimin e masave sepse ato nuk reflektojnë as arsyet për të cilat janë vendosur e as situatën në terren. Për më tepër që nga qershori i këtij viti ka një raport të Përfaqësuesit të Lartë BE-së, Josep Borrel në të cilin kërkohet që masat ndaj Kosovës të largohen.
Kryeziu në një përgjigje për rtv21 tha po ashtu se masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të hiqen.
“Pas deklarimit dhe vlerësimit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, nuk është më çështje se a duhet apo jo të largohen masat ndaj Kosovës apo kush i largon ato, por pse ato nuk po largohen. Kjo është pyetja për të cilën duhet të japë një përgjigje Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrel, respektivisht z. Stano dhe Bashkimi Evropian” tha Kryeziu.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dje i është përgjigjur një kërkese të kryeministrit Kurti i cili gjatë Samitit të Procesit të Berlinit ka kërkuar nga vendet anëtare të BE-së që të marrin vendim për heqjen e masave.
“Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen apo jo, ky është një vendim që duhet ta marrin shtetet anëtare. Përfaqësuesi i Lartë ka lëshuar më 3 qershor një Deklaratë në emër të BE-së, e pasuar nga raporti i HRVP-së për përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së. Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill” tha Stano.