Drejtor i KDI-së, Ismet Kryeziu, e ka dënuar veprimin e Policisë së Kosovës për të arrestuar politikanin serb, Aleksandar Arsenijeviç, vetëm pse ky i fundit fishkëlleu vizitën e kryeministrit Albin Kurti në veri.
Ai ka vlerësuar se kjo përbën shkelje të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit paqësor.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se këto të drejta janë të garantuar me Kushtetutë.
“Arrestimi i politikanit serb Aleksandar Arsenijeviç për fishkëllim ndaj vizitës së kryeministrit dhe dy ministrave në veri, besoj unë përbën shkelje të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit paqësor. Të drejta të cilat janë të garantuara jo vetëm me ligjet vendore, por edhe me konventa ndërkombëtare. Vizitat e shpeshta të ministrit Krasniqi dhe Sveçla ne komunat e veriut, po i sforcojnë përgjegjësitë e tyre për qeverisje vendore, sundimin e rendit dhe ligjit dhe po e zvogëlojnë Kosovën në katër komuna. Një qasje më e balancuar e demonstrimit të autoritetit, është e nevojshme për të siguruar një demokraci të qëndrueshme që mbështet të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike apo rajonale”, ka shkruar Kryeziu.
Sipas tij, këto veprime dëmtojnë institucionet e Kosovës.
“Integrimi i qytetarëve serb dhe respektimi i të drejtave të tyre është një obligim dhe vlerë themelore që garanton funksionimin e demokracisë në Kosovë. Çdo shkelje e të drejtave të tyre civile, si dhe e secilit qytetar të Kosovës pa dallim etnie, dëmton institucionet demokratike dhe minon vlerat e Republikës së Kosovës.”, ka shkruar Kryeziu.