Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur solidaritetin e tij me banorët e lagjes “Emshir”, pas zjarrit që përfshiu disa banesa, duke theksuar lehtësimin që nuk pati viktima, shkruan PrishtinaPress.
Ai falënderoi ekipet e zjarrfikësve, policinë dhe ekipet mjekësore për reagimin e tyre të shpejtë dhe profesionalizmin, që ishin vendimtarë për shpëtimin e jetëve të qytetarëve. Në këtë situatë, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Malë Gashi, i cili ka qenë komandanti i zjarrfikësve, dhe që përkushtimi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm në koordinimin e operacioneve për shuarjen e zjarrit.
Kryetari Rama, së bashku me drejtorin për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, vizituan vendin e ngjarjes për të parë nga afër dëmet dhe për të vlerësuar nevojat e banorëve të prekur. Ai vlerësoi lart humanizmin dhe përkushtimin e ekipeve të angazhuara në terren, duke i cilësuar ata si një shembull frymëzues.
Rama veçoi dhe falënderoi ekipet zjarrfikëse nga Lipjani, Fushë Kosova dhe Drenasi për solidaritetin e treguar gjatë ndërhyrjes. Ai siguroi qytetarët se Komuna e Prishtinës do të jetë pranë tyre dhe do të garantojë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për rikuperimin e situatës.
Ky incident ka nxjerrë në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë për të mbrojtur jetët dhe pronën e qytetarëve.