Kryetari në detyrë i Komunës së Podujevës, ka rezultuar pozitiv në testin për coronavirus.
Kështu ka bërë të ditur ai përmes një postimi në Facebook, ku njoftoi se tash e disa ditë ishte në vetizolim për shkak të dyshimeve për COVID-19.
“Pas dyshimeve dhe qëndrimit disa ditorë në vetizolim jam testuar për COVID-19. Nga IKSHKP, sot më është konfirmuar se kam rezultuar pozitiv. Me shëndet jam shumë mirë dhe nuk kam asnjë lloj shqetësimi shëndetësor. Ditët në vijim, sipas rekomandimeve do t’i kaloj në izolim dhe gjithë procesin e punës, ashtu si këto ditë, së bashku me bashkëpunëtorë do ta mbikëqyrë dhe do ta organizoj nga shtëpia. Ju ftoj të gjithëve që tu përmbaheni rregullave të IKSHPK-së, virusi është real dhe serioz, mos ta lejojmë që të bëhet shkatërrues i jetës tonë dhe familjareve tona”, shkruan Rudari.
Ndryshe, në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 205 raste të reja me coronavirus dhe 11 raste të vdekjeve.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 521 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 205 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 11 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Numri total i rasteve pozitive është 10.795 raste nga 42.136 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 365 raste të vdekjes”, thuhet në njoftim.