Site icon PrishtinaPress

KRYETARI LLADROVCI I BËRI PRESION ZYRTARES KOMUNALE, DESHI TA ZËVENDËSONTE ME NUSEN E DJALIT TË MOTRËS

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi) kanë reaguar në mbrojtje të zyrtares së Komunës së Drenasit, Zahrie Podrimqaku-Subashi, pasi siç pretendojnë këto organizata, kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, i bëri asaj presion për ta larguar nga puna.

Sipas një komunikate për medie të këtyre dy organizatave, i bëri presion për largim nga puna koordinatores së Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut dhe Zyrtare për Barazi Gjinore (ZBGJ) dhe Mundësi të Barabarta (MB) në Drenas, Zahrie Podrimqaku-Subashit, “për ta zëvendësuar me nusen e djalit të motrës së tij”.

“Në janar të këtij viti- kur Kryetari i Komunës personalisht ka thirrur atë në zyrë për t’i bërë presion që të largohet nga vendi i punës, kundërligjshëm dhe duke mos respektuar ligjet e rekrutimit dhe të transferimit. Presionin ndaj saj Lladrovci e ka ushtruar me qëllim që në pozitën e Podrimqaku-Subashit ta vendosë nusen e djalit të motrës së tij”, thuhet në komunikatë.

RrGK dhe Lobi kanë thënë se më 1 mars të këtij viti, Lladrovci ka marrë vendim për transferim të përkohshëm të Podrimqaku-Subashit në pozitën ‘Shefe e shërbimeve të Kuvendit’ në të njëjtën kategori funksionale.

“Ndër arsyet e refuzimit Podrimqaku-Subashi përmend se transferimi i saj është “i qëllimshëm, i paarsyetuar, pa afat kohor, i dhunshëm dhe i detyruar”. RrGK dhe Lobi duke kujtuar punën dhe aktivizmin e Podrimqaku-Subashit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e me theks të veçantë të drejtat e grave, kontribut i cili prek të gjitha periudhat nëpër të cilat ka kaluar vendi, përmes këtij reagimi shpreh përkrahje të pa rezervë për Podrimqaku-Subashin.”, është thënë më tej.

Exit mobile version