Site icon PrishtinaPress

Kryetari i Zubin Potokut thotë se nuk jep dorëheqje edhe po t’ia kërkojë partia

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, veprimet e kryeministrit të vendit, Albin Kurti në lidhje me situatën në veri i sheh të drejta dhe ligjore, andaj e mbështet atë.

Zeqiri, gjatë një interviste për KosovaPress, bën të ditur se është i orientuar ta çojë mandatin deri në fund, ndërsa nuk sheh ndonjë arsye për dorëheqje nga kjo pozitë, qoftë edhe nëse një gjë të tillë ia kërkon kryetari i partisë së tij.

Sipas tij, parësor për të është interesi shtetëror dhe nëse kërkohet të shkohet në zgjedhje të reja, siç kërkojnë ndërkombëtarët, duhet të gjenden format ligjore dhe jo t’ju kërkohet dorëheqja.

Zeqiri thotë se kur bëhet fjalë për të mirën e shtetit dhe qytetarëve në përgjithësi, ai e respekton ligjin dhe merr referenca edhe nga qeveria, pavarësisht se është anëtar i PDK-së.


Ai thotë se nuk mund të jap dorëheqjen vetëm pse këtë mund t’ia kërkojë kryetari i partisë së tij, në këtë rast, Memli Krasniqi.

Zeqiri ka vendosur që funksionin e tij ta ushtrojë nga zyra alternative, ndryshe nga kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi i cili për më shumë se një muaj po qëndron i mbyllur në objektin e komunës.

Zeqiri deklaron se nuk e kupton çfarë mund të bëjë një kryetar i mbyllur, pa kontakte dhe bashkëpunim. Ai e porosit Hetemin që të veprojë nga një zyrë alternative pasi do të ketë më të lehtë të ushtrojë detyrat e tij.

Mirëpo,Zeqiri nuk e fsheh dëshirën për të ushtruar detyrën e tij nga zyra që ndodhet në objektin e komunës në Zubin Potok dhe shpreson që kjo të ndodhë sa më shpejtë.

Sa i përket punëve dhe detyrave të përditshme në komunë, kryetari i Zubin Potokut potencon se është arritur që deri diku të vihen punët në binarë, ndonëse përmend mungesën e komunikimit me shumicën serbe, si sfidën kryesore.

Kryetari i Zubin Potokut thotë se Lista Serbe dhe grupe të caktuara, po bëjnë presion të jashtëzakonshëm duke i frikësuar qytetarët serbë për të mos qenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Zeqiri u zgjodh kryetar i Zubin Potokut në zgjedhjet e 23 prillit, të cilët u bojkotuan nga Lista Serbe, e cila gjithmonë ka udhëhequr me këto komuna. Megjithatë, tentativat e tij për të hyrë në objektin e Komunës ngjallën tensione duke bërë që situata të mbetet e brishtë në veri që nga data 26 maj

Exit mobile version