Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, është deklaruar për media pasi arriti të futej në zyre pas disa orësh pritje, meqë qytetarët serbë e kishin bllokuar hyrjen e objektit.
Ai ka thënë se ka pritur që do të ketë pranim-dorëzim të detyrave ashtu siç parashihet me protokoll, por se nuk ishin mundësitë për këtë.
“Po, tani më në Komunën e Zubin Potokut është vendosur flamuri dhe zyra e kryetarit, erdha sot ditën e parë të punës ta fillojë këtu në komunë. Pak e vështirë, por kënaqësi për të punuar, unë kam energji për të punuar kështu që sot fillova ditën e punës.
Edhe sot kam menduar se do të vi ashtu siç është normale. Kam menduar që fillimisht do të mund të kemi pranim dorëzim të detyrave qysh e lypin protokolet dhe brenda normaliteteve, mirëpo gjasat për këtë nuk ishin, kështu që nuk dëshëm të humbim shumë kohë dhe të fillojmë punën dhe tani prej zyrës së kryetarit do të fillojmë punët, një nga një”, ka deklaruar ai për Klan Kosova.
Ka thënë se puna e parë që ka kryer ka qenë vendosja e flamurit të Republikës së Kosovës në zyrë.
Ai është shprehur optimist se nga e hëna, gjithçka do të rregullohet.
“Po, e kam kryer një punë, e kam vendos flamurin. Po e shoh afërisht se çka duhet me ndryshu këtu. Prej të hënës e tutje, besoj që gjithçka të jetë në rregull”, ka thënë Zeqiri.