Pensionistët që janë larguar nga puna në vitet 90-ta sot kanë marrë një lajm të mirë. Ata do të përfitojnë nga pensioni kontribut pagues.
Kjo, pasi që në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratuan ndryshimet në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Në këtë skemë do të futen qytetarët që janë larguar nga puna në vitet 90-ta, e të cilëve nuk u është njohur kontributi dhe për rrjedhojë nuk kanë plotësuar kriterin prej 15 vjetësh stazh për të përfituar nga pensioni kontributpagues.
Por, të gjitha këto plotësim-ndryshime tash duhet të marrin dritën jeshile edhe në Kuvendin e Kosovës.
Lidhur më këtë vendim të Qeverisë, ka folur kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi.
Këtë vendim Gashi e quan të vonuar, duke shtuar se ka shumë pensionistë që kanë vdekur dhe nuk e kanë pritur fare të njëjtin.
“Vendimi është i mirë edhe pse i vonuar, më mirë vonë se hiq. Ka pensionistë që janë të vdekur dhe nuk e kanë prit hiq këtë vendim”, ka deklaruar Gashi.
Gashi: Në disa qendra regjistrimi i pensionistëve bëhet në fletore
Ministri i Financave Hekuran Murati, deri sa ka shpjeguar plotësim-ndryshimin e ligjit, ka deklaruar se nga kjo skemë do të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë, dhe se parashihet që për një vit të plotë të shpenzohen 60 milionë euro.
Për këtë, kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, ka thënë se nuk kanë statistika, duke treguar edhe kushtet jo të mira që kanë qendrat e shoqatave të pensionistëve në gjithë Kosovën.
Sipas tij, në disa qendra regjistrimi i pensionistëve bëhet në fletore.
“Shifrat e sakta i ka vetëm Enti Statistikor i Kosovës edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përndryshe nuk munden me pas evidencë sepse vdekjet dhe ndarja nga jeta ndodhë gjithandej Kosovës dhe jo vetëm në Prishtinë dhe ne nuk mundemi me pas atë evidencë për arsye se në asnjë qendër të shoqatave të pensionistëve nuk kanë kompjuterë, nuk kanë sisteme për regjistrimin e këtyre, i kanë nëpër do fletore dhe i kanë të regjistruar vetëm ata që paguajnë anëtarësi, e që e paguajnë anëtarësinë janë vetëm 10%, pra rreth 90% ne nuk kemi evidencë për fatin e pensionistëve”, ka thënë ai.
Gashi: Pensionet në vlerë të mjerueshme, të pamjaftueshme për mbijetesë
Nijazi Gashi, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, ka thënë se vlera e pensioneve në Kosovë është e mjerueshme dhe e pamjaftueshme për të mbijetuar.
“Pensionet janë në vlera të mjerueshme, në vlera të pamjaftueshme që të mund të mbijetojmë, por megjithatë më mirë pak se hiq, por ne jemi të privuar nga kjo e drejtë që 24 vite dhe nuk është ndonjë mrekulli që e kanë marrë këtë vendim, dhe mendoj që Qeveria është vonuar”, është shprehur Gashi për Front Online.
Ai thotë se ka pensionistë që si shkak i vonimit të këtij vendimi janë dëmtuar edhe për shkaqe të tjera.
“Një numër mjaftë i madh i pensionistëve janë që kanë diplomuar në vitet 90-ta dhe nuk iu njihet statuti i të ngriturit në fakultet që është një rang pak më i lartë se me shkollë të mesme, dhe ata edhe pse kanë punuar me fakultet marrin rroga si me shkollë të mesme sepse për pensione nuk ua njohin diplomat, kurse për punësim iu kanë njoft. Pastaj janë invalidët e luftës që janë invalid dhe në momentin që ai pensionohet, sa ka qenë në punë ka marrë edhe invalidin edhe e ka marrë rrogën kurse kur të del në pension i ndalet pensioni invalidor”, ka thënë kryetari Gashi.
Për heqjen e kushtit që të ketë 15 vjet stazh pune për të përfituar pension, Gashi ka pohuar se këtë kërkesë e kanë pasur që nga paslufta.
“Kjo kanë thënë këta, por ne këtë e kemi thënë që nga pas lufta në kontinuitet duke thënë që janë dëmtuar me këtë kriter dhe shyqyr që pas 24 vite dikujt i ra në mend për neve”, thotë ndër të tjera Gashi.
Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve: Gati gjysma e pensionit në muaj na shkon nëse ushqehemi me byrek e jogurt një herë në ditë
I pari i pensionistëve, Nijazi Gashi, derisa ka folur për pensionet aktuale në Kosovë, ka bërë një krahasim interesant.
Sipas tij nga 100 euro sa është pensioni aktualisht , rreth 45 euro në muaj shkojnë vetëm nëse hajnë një herë në ditë byrek e jogurt.
“Nuk është e mjaftueshme as për një javë se jo për një muaj. Të gjithë jemi duke jetuar në Kosovë. Një byrek me një jogurt është 1.50 cent, për një muaj vetëm me këtë shkojnë diku 45 euro e me një byrek në ditë nuk jetohet, nëse duhet me pagu rrymë ose diçka tjetër, pastaj edhe barnat nuk mbetet asgjë”, ka thënë ai.
Çështjen për skemat pensionale për pensionistët e viteve 90-ta e ka ringritur që nga viti i kaluar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kjo, parti kishte kërkuar që pensionet kontributdhënëse t’i gëzojnë të gjithë pensionistët, pavarësisht se sa vite kanë punuar.
Nga qershori i vitit 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, shteti i Serbisë kishte ndalur kontributet e pensionistëve të Kosovës dhe që nga ajo kohë, pensionistët nuk kanë arritur t’i marrin paratë e tyre nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor.
Pensionet në Kosovë sillen nga 100 deri në 265 euro.