Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në kuadër të motos ‘7 javë, 7 projekte’, ka prezantuar projektin për qarkoren e re të Gjilanit.
Ai tha se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, do të paguaj shpronësimin e qarkores së vjetër dhe ndërtimin e qarkores së re, me vlerë 27 milionë euro.
Ndërkohë, komuna ka ndarë një shumë prej 2.7 milionë euro për riasfaltim, trotuare dhe shtigje të biçikletave dhe ndriçim publik.
Njoftimi i plotë:
Kryetari Hyseni prezanton projektin e qarkores ekzistuese dhe qarkoren e re të Gjilanit.
Gjilan, 5 shkurt 2024 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në kuadër të motos ‘7 javë, 7 projekte’, ka prezantuar projektin e qarkores ekzistuese dhe qarkoren e re të Gjilanit.
Ai ka bërë të ditur se shpronësimi dhe rindërtimi i qarkores ekzistuese kap vlerën e 2.7 milionë euro, ndërkaq shpronësimi dhe ndërtimi i qarkores së re – 27 milionë euro.
“MMPHI do të paguajë shpronësimin e qarkores së vjetër. padrejtësia çerekshekullore do të marrë fund për rreth 230 familje. 2.7mil € nga komuna për:
– Riasfaltim të qarkores së vjetër;
– Trotuar e shteg të biçikletave në dy anët e rrugës;
– Ndriçim publik e kanalizim atmosferik
Nga 5 lote gjithsej dhe 27mil € vlerë, në 2024 do të ndërtohet:
– Lot 5 me vlerë rreth 6mil €, financuar nga MMPHI;
– Lot 4 me vlerë rreth 3mil €, financuar nga komuna.
Investime që sjellin zhvillim! Mbështetje qytetare e kthyer në vëmendje institucionale!”, ka thënë kryetari i Komunës së Gjilanit.