Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurboja, thotë se pezullimi i rregullores së këtij institucioni, që do t’i ndalonte komunitetit serb përdorimin e dinarit të Serbisë, nuk është në diskutim.
Sipas tij, në diskutim është vetëm shtyrja e zbatimit, raporton Radio Evropa e Lirë.
Bashkësia ndërkombëtare është duke kërkuar nga Kosova që ta pezullojë zbatimin e rregullores së BQK-së, sipas së cilës, euroja duhet të shërbejë si valutë e vetme për pagesa.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta përdorë dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe rrogat për institucionet paralele që ka në Kosovë.
“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores [së BQK-së] sidomos në shkolla dhe spitale, për të cilat, për momentin, nuk duket i zbatueshëm asnjë proces alternativ”, tha grupi i ambasadave të huaja, i njohur si QUINT.
Sipas tij, kjo çështje duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
REL: Shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për paratë e gatshme. A e ka shqyrtuar BQK-ja një kërkesë të tillë, dhe nëse po, cili është vendimi?
Bashkim Nurboja: Faktikisht, në fillim, është parë se shumë njerëz nuk e kanë kuptuar mirë rregulloren dhe kërkesë e ambasadave të QUINIT-it ka qenë pezullimi i saj. Por, pas informimit të duhur e kanë kuptuar se rregullorja është në të drejtën e BQK-së dhe në të drejtën e rregullimit të institucioneve financiare dhe qarkullimit të parasë. Pasi e kanë pranuar këtë, ka ardhur kërkesa për shtyrjen e zbatimit.
Në përgjithësi, zbatimin e bëjnë institucionet e drejtësisë, nuk e bën BQK-ja.
Ne vetëm e kemi obligim ligjor ta rregullojmë sistemin financiar dhe e kemi bërë këtë rregullore si instrument shtesë për rregullimin e një çështjeje që ka mbetur e parregulluar për një kohë shumë të gjatë, e cila është interes shtetëror, e cila ka të bëjë me valutën. Është edhe e drejtë kushtetuese – Neni 11 e përmend që Kosova duhet ta ketë një valutë. Po ashtu, ka të bëjë me qarkullimin e parasë brenda vendit; është shumë me rëndësi për BQK-në që të dijë për qarkullimin e parasë, sepse është në mandatin e saj.
Kjo rregullore i rregullon këto dhe precizon edhe disa gjëra të ligjit… Tash, institucionet tjera, si Dogana, e fuqizojnë ligjin.
REL: Cilat institucione të tjera përveç Doganës?
Bashkim Nurboja: Kur euroja definohet si instrument i vetëm i pagesës, atëherë gjërat e kontabilitetit duhet të mbahen në valutën euro. Kjo i bie që blerjet në dyqane duhet të bëhen me valutën euro. Kjo nuk i ndalon kurrsesi valutat tjera, ato mund të këmbehen në këmbimore, vlera e pasurisë mund të mbahet nëpër valuta tjera nëse bankat e ofrojnë atë produkt, siç është dollari, frangu apo çfarëdo valute tjetër. Nuk ka të bëjë me një valutë, por ka të bëjë me euron dhe valutat tjera, nuk ka të bëjë me një valutë specifike.
REL: I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka përmendur ditën e sotme si afat për ndonjë njoftim rreth kësaj rregulloreje sa i përket zbatimit…
Bashkim Nurboja: Pezullimi [i rregullores] në asnjë mënyrë. Shtyrja është në diskutim e sipër. Lajçaku nuk ka pasur takim me askënd nga BQK-ja. Siç e dini, BQK-ja është institucion i pavarur. Ne jemi duke e diskutuar si çështje, nuk ka vendim përfundimtar ende, sot do të dalim me një vendim se ajo nga nesër hyn në fuqi.
REL: I përmendët institucionet, por në rregullore nuk thuhet se cilët mekanizma do ta monitorojnë zbatimin e kësaj rregulloreje…
Bashkim Nurboja: Secili institucion i ka obligimet e veta. Ne e kemi rregulluar domenin që e ka Banka Qendrore, e që ka të bëjë me qarkullimin e parasë. Domenet e tjera, çështjen e inspektoratit e rregullojnë institucionet tjera përkatëse. Administrata Tatimore i ka çështjet e veta, Dogana i ka çështjet e veta… Ne i kemi rregulluar çështjet që na takojnë neve si Bankë Qendrore. Ato kanë të bëjnë me evidentimin e qarkullimit të parave dhe asgjë tjetër. Nuk kanë të bëjnë me një valutë specifike, por me euron dhe valutat e tjera.
REL: Po thirreni në Kushtetutë, por pse është dashur tani të nxirret një rregullore për zbatimin e ligjeve që ekzistojnë?
Bashkim Nurboja: Nëse nuk është fuqizuar ligji, atëherë nuk e fuqizon as rregullorja. Por, kjo rregullore vetëm i përcakton instrumentet dhe aktorët përkatës që kanë përgjegjësi për zbatimin e ligjit. Deri dje ka qenë ligji që e ka specifikuar, por aktorë përkatës nuk ka pasur. Tash, pasi ka qenë në domenin tonë dhe një ligj – Ligji i BQK-së – e përcakton se institucionet tjera duhet ta ndihmojnë BQK-në në zbatimin e rregulloreve dhe ligjeve, atëherë ne veç i kemi precizuar gjërat. Nuk ka diçka shtesë.
Kemi pasur informim publik, guvernatori [i BQK-së] është paraqitur nëpër media të ndryshme ku e ka shpalosur [rregulloren]. E kemi shpalosur nëpër portale të ndryshme, nëpër media të ndryshme se çfarë nënkupton.
Rregullorja është publike. Kështu që kjo nuk e ndalon askënd të pranojë para prej çfarëdo shteti… do të thotë një qytetar, çfarëdo të ardhurash që do të pranojë, shkon e hap në bankë xhirollogarinë dhe i pranon paratë…Dërguesi i dërgon, pranuesi i pranon. Rrugës, paraja konvertohet në valutën e euros.
REL:Cilat janë masat ndëshkuese nëse kjo nuk zbatohet?
Bashkim Nurboja: Ne nuk mund të ndëshkojmë. Ne e kemi rregulluar një çështje që mendojmë se është obligim i institucioneve të tjera për ta zbatuar, por BQK-ja nuk jep ndëshkim për institucionet e tjera, përpos për institucionet që i rregullon e që kanë të bëjnë me sektorin financiar.
REL: A është interesuar ndonjë bankë për t’u licencuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi Banka Komerciale [nga Serbia] atje po mbyllet?
Bashkim Nurboja: Në pjesën veriore ka filiale të bankave, të cilat operojnë në të gjithë Kosovën; ka institucione jobankare që merren me sistemin e pagesave, të çështjeve të ndryshme të shërbimeve financiare, të cilat operojnë edhe në veri. Është një numër i mjaftueshëm i tyre. Megjithëse, ka edhe banka tash që kanë shprehur dëshirë për t’i hapur filialet atje.
Në Kosovë është mbyllur një bankë me likuidim vullnetar, që ka qenë Komercjalna Banka. Është mbyllur vetë, për shkak të blerjes nga grupi i NLB-së në nivel ndërkombëtar.
Këtu operon NLB-ja dhe krejt bankat janë të licencuara. Të gjitha institucionet financiare duhet të jenë të licencuara për shërbimet e tyre.
REL: Po në bankat komerciale që operojnë në Kosovë, nëse klienti dëshiron të hapë llogari në dinarë, a mund ta bëjë?
Bashkim Nurbonja: Ai është produkt bankar, varet nga banka. Ne asnjëherë nuk ua ndalojmë, as nuk ua kufizojmë. Është politikë e brendshme [e bankave].
Për shembull, keni banka që jua hapin xhirollogarinë në dollarë, në franga… Nëse e shohin me interes për ta hapur në dinarë, ajo është çështje e tyre. Ne as nuk i kufizojmë, as nuk i detyrojmë.
Kjo është një çështje që ka të bëjë me riskun valutor… janë elemente teknike të institucioneve financiare.
REL: Edhe një herë – cilat janë gjasat që të shtyhet zbatimi i rregullores, apo do të fillojë nesër [më 1 shkurt]?
Bashkim Nurboja: Nuk mund të komentoj për gjasa, apo me propabilitete. Diskutimet janë të hapura, megjithëse ne e shohim se jemi në të drejtën tonë, është diçka serioze që duhet të rregullohet.