Viti i ri shkollor nisi me probleme sa i përket pajisjes me libra për të gjithë nxënësit.
Ministria e Arsimit nuk i siguroi nxënësve tekstet shkollore, pasi morri vendim t’i ndajë nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, duke i subvencionuar financiarisht prindërit.
Sigurimi i librave nga prindërit për fëmijët ka shkaktuar tollovi në shumë librari.
Por disa qytete kanë hallë tjetër.
Hani i Elezit, Kaçaniku e Klina po përballën me mungesë të librarive.
Kryetari i Kaçanikut: S’kemi librari, kemi bërë marrëveshje me dy markete për shitjen e librave
Kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, tha për Front Online se nxënësit po furnizohen me libra në markete.
Ilazi poashtu thotë që prindërit po kanë vështirësi gjatë aplikimit.
Ai ka një thirrje për Qeverinë ‘Kurti’ lidhur me tekstet shkollore.
“Komuna jonë ende nuk ka librari, por është bërë marrëveshje në dy markete. Ka ende prindër që nuk dinë të aplikojnë dhe e kanë gjendjen e rëndë ekonomike. Prindërit po shpenzojnë shumë dhe kanë vështirësi për sigurimin e librave. Qeveria nuk duhet ta përsërisë më këtë situatë në të cilën jemi sot”, u shpreh Ilazi.
Kryetari i Hanit të Elezit: Ka ende fëmijë që nuk i kanë siguruar librat
E, kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi tregon se nxënësit zgjidhjen e librave po e gjejnë tek libraria më e afërt që kanë.
Ballazhi thotë se Komuna u ka dalë në ndihmë familjeve me gjendje të vështirë ekonomike.
“Ne kemi kërkuar që së paku të ketë një librari, por deri tani nuk ka pasur. Secili po mundohet të gjejë zgjedhje te ndonjë librari më e afërt. Shumë e vështirë kjo situatë për prindërit se ka shpenzime. Ministria e ka paraparë të paguajë vetëm librat, por jo edhe shpenzimet e udhëtimit. Ka ende fëmijë që nuk janë furnizuar me libra por ne si Komunë ju kemi ndihmuar disave”, theksoi Ballazhi.
Ndryshe nga Hani i Elezit e Kaçaniku qëndron komuna e Klinës.
Kreu i kësaj komune, Zenun Elezaj duke biseduar për Front Online njofton se është hapur një librari.
Elezaj thotë se një numër i madh i nxënësve i kanë siguruar tekstet shkollore.
“Ka ende vështirësi, por shumica e prindërve janë furnizuar me tekste. Një librari e përkohshme është hapur në komunën tonë me vones në pajtim me shtëpitë botuese. Ka pasur shumë fluks por tani nuk ka“, thotë Elezaj.
Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008. Por, këtë vit ky dikaster ka ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, siç thotë MASHTI, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre./Front Online/