Site icon PrishtinaPress

Kryesuesi i KQZ-së jep detaje për takimin me Osmanin: Është ngritur tema për shtyrjen e zgjedhjeve

Kryesuesi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka dhënë detaje për takimin e javës së kaluar me presidenten, Vjosa Osmani.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, Radoniqi tha se ideja për shtyrjen e zgjedhjeve lokale është ngritur nga e para e shtetit, mirëpo, ai nuk ka dhënë asnjë mendim lidhur me këtë çështje, pasi konsideron se nuk është në kompetencën e KQZ-së për shtyrjen e zgjedhje apo shkurtimin e fushatës zgjedhore.

“Po është ngrit edhe çështja e shtyrjes, apo zvogëlimi të fushatës zgjedhore, por në këtë çështje unë nuk kam dhënë mendim, as nuk jam marrë me atë çështje. Çështja e fushatës, gjithnjë kam thënë se kërkesë nuk kemi për me shkurtu fushatën, është çështje ligjore ajo. Unë në lexim të ligjit nuk e shoh ndonjë arsye që kemi ne për zvogëlimin e fushatës përveç nëse kemi zgjedhje të jashtëzakonshme, në zgjedhjet e rregullta nuk kemi ndonjë dispozitë për shkurtim të fushatës. Sa i përket të shtyrjes së datës së zgjedhjeve nuk është në kompetencë timen, as të KQZ-së dhe nuk e parasheh ligji këtë çështje. Unë nuk kam diskutu për këtë, e di që kjo çështje është në interesim, por sa i përket meje nuk e kam diskutua këtë çështje. Është ngrit si çështje, por unë nuk kam dhënë mendim dhe as nuk kam interes me dhënë mendim. E imja është vetëm me udhëheq këtë komision, në raport me punën e sekretariatit dhe anëtarëve”, tha ai.

Takimin me Osmanin, kryesuesi i KQZ-së tha se e ka kërkuar vet për t’ia adresuar problemin e objektit të KQZ-së dhe kërkesën për vaksinimin e rreth 30 mijë personave që janë të involvuar në zgjedhjet e 17 tetorit.

“Ka qenë një takim i kërkuar nga unë, qëllimi i takimit ka qenë për hapësirat e objektit për staf sekretariati. Ne e kemi marrë një vendim prej ish ministrit Veliu, në kohën kur nuk kam qenë kryesues që aneksi i kësaj ndërtese që gjendet në anën e djathtë i jepet KQZ-së për nevoja të stafit. Ne kemi komunikuar me MPB, por mund të them që në bazë të kërkesave nuk kemi pranuar asnjë përgjigje prej kohës kur është marrë vendimi. Qëllimi im ka qenë vetë me kërku nga presidentja që të ketë një komunikim me ministrin, pasi nuk po na përgjigjen lidhur me këtë objekt. Ne i kemi kushtet e pavolitshme në këtë ndërtesë ku jemi, e sidomos në kushtet e pandemisë…Çështje tjetër që është diskutu është nevoja për t’i vaksinuar stafin të cilët do të punojnë ditën e zgjedhjeve. Për këtë çështje kam kërkuar nga presidentja që të ketë mirëkuptim që ajo të ngritë këtë çështje për vaksinimin e diku 25-30 mijë personave që do të punojnë ditën e zgjedhjeve”, shtoi ai.

Kërkesën për t’u informuar për takimin e Radoniqit me presidenten Osmani e bënë anëtarët e PDK-së dhe LDK-së në KQZ-së.

Exit mobile version