2.3 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Kryesindikalisti i Policisë: Policët përballen me kushte të vështira e paga të padinjitetshme, 40 u larguan vullnetarisht

Kryesindikalisti i Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë se kushtet jo të mira të punës, paga jo e dinjitetshme, mungesa e sigurimit shëndetësor e jetësor si dhe rrezikshmëria e lartë, janë disa nga problemet me të cilat vazhdojnë të përballen pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Zeqiri tha se në vazhdimësi i kanë adresuar kërkesat e tyre por ende nuk ka ndonjë rezultat.

Sipas tij, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, për shkak të kushteve jo të mira të punës, rreth 40 pjesëtarë të policisë e kanë braktisur këtë institucion.

“Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti kemi rreth 40 dorëheqje vullnetare për shkak të kushteve jo të dinjitetshme”, ka thënë Zeqiri.

Ai po ashtu foli edhe për mos realizimin e shtesës për rrezikshmëri të lartë në punën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Nuk e di pse dhe me çfarë arsye shtesat e rrezikshmërisë nuk po ekzekutohen që është njëra nga pakënaqësitë, në kuadër të kërkesave dhe kushteve të vazhdueshme. Definitivisht për këtë shtesën për rrezikshmëri kam thënë që nuk është dashur as të diskutohet”.

“Mos realizimi i saj ka krijuar një pakënaqësi jashtëzakonisht të madhe te policia, duke llogaritur se gjithmonë zyrtari policor, ka rrezik permanent gjatë kryerjes së detyrës zyrtare… Kemi raste të mjaftueshme për ta arsyetuar se zyrtari policor ka rrezik gjatë kryerjes së punës zyrtare. Në fillim na patën thënë se do të paguhen, por kaloi muaji shkurt, marsi.. Pastaj dolën me disa deklarata që është formuar një komision në atë drejtim… Të punojë komisioni për gjashtë muaj e të mos vendos për shtesën për rrezikshmëri për Policinë e Kosovës si dhe disa shtesa të tjera për stafin civil në kuadër të policisë, vërtetë është e pakuptimtë”, ka thënë ai.

Zeqiri tregoi dhe kërkesat tjera që i kanë si Sindikatë, që kanë të bëjnë me sigurimin shëndetësor dhe jetësor.

“E patëm këtë javë përvjetorin e policëve të vrarë në detyrë. Qeveritarët u krenuan me punën e tyre, e nga ana tjetër është bërë kaq pak për ta”, u shpreh ai.

Kryesindikalisti i Policisë theksoi se sa i përket Ligjit të Pagave kanë bërë kërkesë te Avokati i Popullit që evitohen defektet.

“Njëra nga këto defekte ka qenë dhe shtesa për rrezikshmëri. Mandej janë orët shtesë pas orarit të punës, që deri në miratimin e Ligjit të pajave i kanë paguar. Me Ligjin e pagave është bërë padrejtësi e madhe edhe tek zbritja e përvojës së punës…”, ka thënë Zeqiri.

Ai tha se problem tjetër është edhe mosha e pensionimit të pjesëtarëve të policisë.

“Zyrtari policor deri më tani, para implementimit të Ligjit të pagave, me rastin e pensionimit ka marrë tri paga përcjellëse. E ky ligji i ri i ka anuluar dhe ato. Pra polici kur del në pension, hudhet si leckë e përdorur në shportë dhe asgjë më shumë”.

E kemi kërkesë Ligjin për pensionim mbi moshën 55 vjeçare. Edhe qeveritë e kaluara e kanë premtuar këtë edhe kjo qeveri në fushatë e ka premtuar. Sot nuk përmendet fare kjo punë. Shumicës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nuk iu paguhen shujtat dhe nuk iu paguhet kompensimi i udhëtimit…”, tha Zeqiri.

Ai po ashtu foli edhe për veshjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Sa i përket punës së uniformave, para dy muajve ka qenë një tender, mirëpo është anuluar me arsyetimin se asnjëri nga ofertuesit nuk ka punuar në kualitetin e duhur për uniforma. Prandaj ne mbesim keq”, tha ndër të tjera Zeqiri.

Ndërkaq, njëri nga policët e Kosovës, në kushte anonimiteti (emri e mbiemri të njohur për redaksinë) në një prononcim për Telegrafin ka folur për vështirësitë gjatë orarit të punës.

Ai tha se ka disa vite që nuk kanë këpucë, pantallona e këmishë dhe se në kohë të ftohët dalin në ounë me këpucë të shqyera.

“Vështirësitë më të mëdha janë me këpuca, por edhe uniforma komplet. Ka disa vite që nuk kemi këpucë, pantallona e këmishë. Dimrit dhe në mot të ligë dalim me këpucë të shqyera. Tani edhe automjetet, shumica, nuk janë në gjendje teknike të mirë”, ka thënë polici.

Sindikata e Policisë së Kosovës kohë më parë ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës një peticion të nënshkruar nga punonjësit policorë lidhur me pakënaqësitë e tyre.

Ligji i pagave, mungesa e sigurimit shëndetësor e jetësor, Ligji i pensionimit, shtesat për punë specifike, rrezikshmëria dhe kushtet e punës – janë disa nga pakënaqësitë e zyrtarëve policorë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img