Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka dalë kundër vendimit të marrë nga Kryesia e Kuvendit që atij të mos i zbritet paga.
Në një prononcim për T7, Konjufca ka deklaruar se në këtë nismë të Kryesisë së Kuvendit ka abstenuar, duke thënë se është e paligjshme me Ligjin e Pagave.
“Kryesia e ka marrë një vendim në të cilin unë kam abstenuar sepse mu ka dukur i paligjshëm. E kjo është që kryetarit të Kuvendit të mos i zbritet paga, siç ka ndodhur me Ligjin e Pagave. E kemi një Ligj të ri të Pagave edhe kryetarit të Kuvendit, si edhe presidentes dhe kryeministrit iu ka zbritur paga. Vendimin që e mori Kryesia ishte të mos zbritet paga e kryetarit, jo të rritet por që të mbetet ajo që ka qenë më herët. I kam dhënë udhëzimet për administratën që çfarëdo veprimi që ata marrin në drejtim të përpjekjes për të akomoduar këtë veprim të Kryesisë, që kryetarit të mos i zbritet paga, në krahasim me Ligjin e ri të Pagave dhe me shtesën 30 për qind që e kemi të kufizuar”, tha Konjufca.
Sipas Konjufcës, kjo s’ka mundësi të bëhet pasi është e paligjshme, derisa shtoi se si kryeparlamentar nuk do ta lejojë një gjë të tillë.
“Përveç nëse merrni veprime të paligjshme. Këto veprime nuk ma merr mendja se do të bëhen në Kuvendin e Kosovës. Unë nuk do ta lejoj, e kjo është e gjitha. Ligji i Pagave i zbret pagat. 1.780 euro është paga bazë e kryetarit të Kuvendit”, ka deklaruar Konjufca.