Site icon PrishtinaPress

Kryeshefi i KRU “Prishtina”: Kemi rritur inkasimin e borxheve në mbi 100 për qind

Afër 500 raste të keqpërdorimit me ujë të pijshëm është duke i trajtuar Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” për t’i proceduar për në Prokurori, ndërsa vetëm vitin e kaluar janë shkyçur mbi 2 200 kyçje ilegale.

Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryeshefi i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu.

Fetahu tha se sfidë tash e sa kohë e kanë me kyçjet ilegale dhe borxhi i madh nga konsumatorët, ndonëse për këtë të fundit kanë arritur ta ulin stokun. E për t’i luftuar këto keqpërdorimet, Fetahu ka rritur numrin e inspektorëve.

“Ka qenë mobilizim i madh i KRU ‘Prishtinës’ gjatë vitit 2023 në gjetjen dhe shkyçjen e konsumatorëve ilegalë që më veprimet e veta përveç se kanë dëmtuar kompaninë e edhe konsumatorët e rregullt. Në 2023 kanë ndodh mbi 2200 shkyçje ilegale të natyrave të tilla të ndryshme dhe ne do të vazhdojmë fuqishëm këtë drejtim. Kemi rritur numrin e inspektorëve e bashkë më polici do t’i luftojmë këto dukuri”, ka deklaruar ai.

Duke folur për vlerën e inkasimit, Fetahu tha se kanë arritur ta rrisin krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Për fat të mirë, borxhi më 31 dhjetor të vitit 2023 është më i vogël se ai i 31 dhjetorit 2022. Kjo lë të nënkuptojë që shkalla e inskasimit ka qenë mbi 100 për qind. Është hera e parë që ndodh në KRU një gjë e tillë e shpresoj të vazhdojë. Ata që nuk kanë paguar, iu bëj thirrje e kërkesë që le të fillojnë për pagesë, le të bëjnë riprogramim të borxhit e ata që s’kanë mundësi ta paguajnë, ne do vazhdojmë me aksione të shkyçjes”, tha Fetahu.

Ai përmendi edhe investimet kapitale për të cilat tha se prekin shifra të ndryshme milionëshe nga Qeveria gjermane dhe ajo e Kosovës.

“Projektet kapitale kanë ecur mirë, të lidhura me projektin e ujërave të zeza, kemi marrë 42 milionë nga qeveria gjermane, nga qeveria e Kosovës gjysmë milioni euro fonde të cilat i kemi realizuar me sukses edhe gjatë këtij viti kemi nënshkruar marrëveshje për bordin e fondeve 1.3 milion euro dhe pritet të ketë investime të ardhme, që do sigurojnë furnizim me ujë të pijes me cilësi të lartë. Gjatë këtij drejtimi jemi shumë mirë sa i përket investimeve kapitale, kemi ngritur edhe fondet vetanake në 2.5 milionë nga KRU ‘Prishtina’ si rezultat i shkallës së lartë të inkasimit, kuptohet edhe përkrahjes së qeverisë, dhe besoj që ky vit do jetë më i suksesshëm se viti paraprak”, u shpreh kryeshefi i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu. /EO

Exit mobile version